Ish-drejtuesi i policisë: Si e korruptoi Bare njeriun e Artur Dajës, luajti futboll me kokën e tij.

Ish-drejtuesi i policisë: Si e korruptoi Bare njeriun e Artur Dajës, luajti futboll me kokën e tij

Ish-oficeri i lartë i policisë, Bujar Hoxha ka treguar “sekretet” e bandës së Lushnjes në një rrëfim të gjatë të botuar nga GSH.al. Kemi të bëjmë me një tregim të veçantë, sepse zyrtarët e policisë nuk flasin shpesh për detajet e punës së tyre në publik. Megjithatë, kujtimet e tij Hoxha i ka përmbledhur në librin me titull “Krimi dhe antikrimi, historia e bandave kriminale”.

Në këtë libër, Hoxha tregon se si zona ku vepronte Aldo Bare cilësohej si “komisariati nr. 2” i policisë në Lushnje. Mbretërimi i tij në qytet zgjati për gati 10 vjet, deri në vitin 2006 ku u godit dhe koka e bandës.

Përpos kronologjisë së ngjarjeve, Hoxha ngre pyetjen interesante se si ka mundësi që një grupim kriminal arriti të veprojë për 10 vjet pa u prekur nga shteti. Ishte pafuqi e autoriteteve apo implikim i strukturave të policisë? Kjo pyetje ndoshta do të mbetet përgjithmonë pa përgjigje.

Më poshtë, rrëfimi i shefit të policisë, Bujar Hoxha për ekzekutimet e njëpasnjëshme që nga Klenti Bano e tek zbulimi i minës me sahat në stadiumin e qytetit.

RREFIMI I BUJAR HOXHES

“Në qytetin e Lushnjes gjendja e kriminalitetit paraqitet tepër e rënduar. Që në muajin mars 1997 dhe deri tani krimi jo vetëm nuk ka pushuar, por ka marrë përmasa të mëdha dhe është bërë i organizuar. Banorët e këtij qyteti janë teje të terrorizuar nga skenat makabre që kanë parë dhe dëgjojnë, policia është inferiore ndaj krimit dhe nuk ka inisiativën për ta mposhtur atë. Qytetari lushnjar në asnjë moment nuk ndihet i sigurtë dhe nuk ka besim tek policia. Autoritet të plotë tani kanë organizatat kriminale. Sfida që ata i bëjnë shtetit është e hapur, kryejnë vrasje të hapura, bëjnë demonstrime armësh dhe mjetesh,djegin banesa, hedhin eksploziv në to, gjuajnë me antitank automjetet, presin koka njerëzish dhe ato i ekspozojnë në qytet, u bëjnë presion njerëzve të drejtësisë dhe policisë. Duke kryer këto veprime, të gjitha organet e drejtësisë i janë nënshtruar krimit. Asnjë material në ngarkim të tyre nuk guxon të shkruhet, asnjë person, institucion apo organizëm nuk merret me ta. Pra, gjithçka ata e kanë nënshtruar dhe janë bërë sundues. Punonjësit e policisë janë tepër të terrorizuar dhe nuk guxojnë të flasin dhe me njerëzit më të afërt. Gjithë ky terror dhe krim e ka zanafillën në konfliktin që ka ndodhur ndërmjet dy grupeve rivale: Fredi Idajet Shkurti dhe Artur Ahmet Daja.

Me këtë relacion alarmant, nje punonjës policie (ndoshta dhe shef) i drejtohet aparatit qëndror.dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Frika e tij shkon deri aty sa nuk identifikohet dhe relacioni eshte i pa protokolluar nga Komisariati i policisë Lushnje.

KUSH JANE TUR DAJA DHE FRED SHKURTI

Fredi Idajet Shkurti, i njohur dhe me emrin e ndryshuar Aldo Sotir Bare është banor i qytetit të Lushnje. Banesa e tij ndodhet ngjitur me Komisariatin e policisë Lushnje. Deri në vitin 1992 ka qenë polic në repartin e ndërhyrjes së shpejtë në Durrës. Në vitin 1993 është larguar për në Greqi, për shkak se ka qenë i dyshuar në vrasjen e një shtetasi në këtë qytet, por që nuk u arrit të provohej ligjërisht. Më pas kalon në Itali, deri në vitin 1997, kohë në të cilën kthehet në Lushnje. Momenti i trazirave dhe konflikti me kundërshtarin e tij, Artur Daja, e bën të organizohet dhe banesa e tij me ambientet përreth marrin emrin “Komisariati Nr. 2“.

“Ky njeri është i organizuar dhe ka pushtet te gjithanshëm…Me krimet që ka kryer, ka krijuar mitin e të pamposhturit…” thuhej në relacionin anonim. Arrestimi i tij ishte një prej dhjetëra arrestimeve për krimet e kryera, rast aspak i ekzagjeruar, që kryhen normalisht nga policia që për raste të tilla dhe marrin lavdërime. Duhet theksuar se arrestimi i tij do të bëhej një ngjarje me vlera të pallogaritshme. Ai ishte kreu i bandës, i dinte të gjitha ngjarjet, të vraret, varret e tyre etj. Ky njeri do të shfaqej herë pas here edhe në media.

Deklarimet e tij me përçatjet e një gangsteri maniak krijonin mërzi. Nga ana tjetër, policia arriti të grumbullojë një mal me informacione lidhur me lëvizjet e tij jashtë territorit shqiptar. Artur Ahmet Daja, i regjistruar në gjendjen civile me emrat Altin e Petro është banorë i qytetit Lushnje, i regjistruar nga policia: person me precedent kriminal. Në vitin 1994 ka patur konflikt me MP nga fshati Karbunarë e Madhe dhe në pritën e organizuar nga Arturi, vriten tre djem të rinj. Shpallet në kërkim nga policia, ndërkohë ai kalon kufirin dhe qëndron në Itali dhe kthehet në periudhën e trazirave të marsit ‘97. Edhe ky ishte një rrugaç, një kriminel që kishte vrarë njerëz e thyer koka. Ai përfaqësonte prototipin e një gangsteri të vogël që kërkonte të bënte emër në qytetin e Lushnjes. Do të ishte bërë një bandit profesionist, nëse nuk do të përballej me një kundërshtar si Aldo Bare.

Informacionet e policisë flasin se konflikti mes dy “kapove” kishte lindur herët, para ngjarjeve të ‘97-ës. Dyshohet për pazare të prishura në çështjet e trafiqeve, për të cilën Aldo Bare i kërkonte borxhin Artur Dajës duke e kërkuar në të gjithë Italinë. Pikërisht, në ditët e para të qershorit të vitit 1997, Aldo Bare së bashku me vëllanë e tij, dhe kushërinjtë e tij Ramadanin, Bardhi dhe Enver Rabinë do të sulmonin nga vetura Artur Dajën dhe lidhjet e tij, të cilët po drekonin në një lokal të lagjes “Kadri Qystri”. Nga shkëmbimi i zjarrit, mbetet i plagosur A. Daja dhe vritet shoku i tij Genci Kashari.

Në drejtim të veturës, ka lëshuar breshëri automatiku Arturi, duke vrarë Ramadan Shkurtin dhe plagosur rëndë Bardhi Rabinë. Aldo largohet me shpejtësi në këmbë duke marrë në shpinë Enverin e plagosur në faqe dhe shpatull, ndërkohe që kundërshtari e ndiqte me kallashnikov në dorë. Arturi kthehet tek vetura e përplasur tek një makinë tip “Saurel“ i merr nga dora pistoletën Bardhit dhe e qëllon në kokë.

Njëkohësisht qëllon mbi Ramadanin që ndodhej i shtrirë në sediljen pas shoferit Kjo ngjarje e rëndë do të shërbente si sinjal për beteja të tjera dhe që do të mbante nën terror një qytet të tërë deri në vitin 2005, pikerisht nga grupi kriminal që do të njihej si “Banda e Lushnjes”.

Duke parë rrezikshmërinë e kundërshtarit, Aldo Bare do të planifikonte në detaj planin dhe menjëherë do të niste veprimet hakmarrëse ndaj grupit të Artur Dajës. Goditja e parë do të jepej ndaj Xhevat Demirit, i njohur me nofkën “kosovari”. Ditën e ekzekutimit, i ndjekur gjatë gjithë ditës, do t’i zihej pritë në hyrje të qytetit Lushnje, tek kthesa e lokalit “Blerim” dhe në prani të gruas dhe dy fëmijëve do të qëllohej me breshëri automatiku. Në ikje e sipër, njëri nga autorët e këtij krimi, me pistoletë në dorë e qëllon në kokë. Ngjarja do t’i shkaktonte trauma pjesëtarëve të familjes, veçanërisht, djalit trevjeçar që vazhdon të vuajë pasojat epileptike të sëmundjes.

Ngjarjet do të pasonin njëra-tjetrën. Bilanci do të numëronte rreth njëzetepesë të vrarë apo zhdukur, disa tentativa vrasjeje, dhjetëra raste rrëmbimesh dhe torturash brenda dhe jashtë “Komisariatit Nr.2”, si dhe vendosje me shumicë të lëndëve shpërthyese ndaj banesave apo objekteve ekonomike të lidhjeve të Artur Dajës. Nga ana tjetër, Artur Daja do të qëndronte i fshehur dhe do të sulmonte grupin rival duke vrarë gjashtë pjesëtarë të “Bandës së Lushnjes” si dhe vendosje lëndë shpërthyese në disa shtëpia të kundërshtarëve të tyre.

Artur Daja e kishte kuptuar rrezikun dhe pas vrasjes së shokut të tij, “kosovarit” organizoi planin për goditjen e grupit kundërshtar duke menduar se do t’i lante një herë e mirë hesapet me Aldo Barën. Për të nderuar shokun e vet të vrarë, Tur Daja do të betohej se do t’i merrte hakun, por jo në këtë mënyrë, që do të thoshte se po përgatitej të zgjeronte skenën e hakmarrjes. Atë verë, Artur Daja kërkonte të gjente një mënyrë që t’i bënte kundërshtarët të harronin se me kë kishin të bënin. Mënyra se si do vrisnin Aldon me grupin, do t’ia linte njërit prej pjesëtarëve që mbahej si mjeshtër i armës.

Arturi dhe të tjerët do e paguanin shumë shtrenjtë gabimin e shënjestrës së kundratankut. Pasi siguroi informacionin e duhur, me 22.08.1998, bashkë me pjesëtarët e grupit të tij, në vendin e quajtur kthesa e Shënpremtes të fshatit Sulzotaj, do të qëllojnë me antitank ndaj makinës ku udhëtonin Aldo me njerëzit e tij më të besuar. Pasojat ndaj këtij sulmi ishin të papërfillshme, vetëm dy të plagosur. Fati e deshi që këta persona të udhëtonin me mjetin e blinduar, tip furgon, ngjyrë të bardhë, që në ditët në vazhdim do shoqëronte gati të gjitha krimet e kryera ndaj lidhjeve të Artur Dajës.

Duke ndjerë rrezikun, Aldo Bare krahas kobures, do të hidhte në veprim planin e ideuar me shumë mund dhe kujdes. Arriti të rekrutojë një person të besuar të Artur Dajës duke e joshur, por dhe falur për “mëkatet”. Kështu ndodhi. Artur Daja do të vritej në rrethana misterioze, ndërsa koka do t’i pritej dhe çohej me tepsi shefit të tyre. Më pas koka e tij do të shëtitej në çdo qoshe të qytetit Lushnje duke i dhënë fund rivalitetit banditesk.

Skena makabër do të trondiste banorët e këtij qyteti dhe përfundimisht do të instalonin atë që krimi gjithmonë dëshiron: heshtjen. Një dëshmitar do të tregonte shumë kohë më pas “Unë u ktheva dhe dola jashtë. Disa djem të qytetit po mbanin në dorë një kokë njeriu. Unë kalova matanë rrugës dhe ndalova përballë shatërvanit të qytetit dhe po shikoja se çfarë po bëhej. Pashë që këta djem e hodhën kokën në bulevard dhe filluan të luanin me këmbë me njeri tjetrin, tamam siç luajnë fëmijët futboll me porta të vogla. Të gjithë njerëzit e shokuar nga ngjarja u larguan të tmerruar”.

Në 21.10.1998, në vendin e quajtur “Tre Urat e Tërbufit” gjendet kufoma e Artur Dajës, pa kokë dhe e copëtuar me eksploziv. Duke vepruar në këtë mënyrë, këta kriminelë forconin reputacionin mafioz sepse për ta: “Mafia e ka për zemër të bëjë të qartë se nuk lëshon kurrë pe, dhe se i përndjek kundërshtarët viktima edhe atëherë kur janë në varr”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s