Ditar i plotë i shefit të SHIU_ t, per zonen bregdetare te Shqiperise, z.Konstandin Koliqi.

Sulmi vdekjeprurës ndaj godinës së SHIK-ut.

Data 24, nisem për në Fier, tek njerëzit e mi. Në janar më kishte vdekur nëna, dhe mendova që të dilja njëherë andej nga të afërmit e mi. I bie nga rruga e Nartës dhe po atë ditë kthehem në zyrë. Njëri nga “shokët” më sjell një vendim të Komitetit të Shpëtimit Publik me 111 emra. Të gjithë ata ishin të dënuar me vdekje. Në këtë listë dalloj emrin tim. Isha i 17-i. Data 25, në mëngjes. Më vjen informacion se do të goditej godina e SHIK-ut.

Data 26, bie një shi i tmerrshëm dhe bën një kohë shumë e keqe.
Siç duket, plani shtyhet për më pas. Data 27, në mbrëmje vjen gjeneral Bujar Rama. I paraqes situatën. I thashë që të largohemi, duke i treguar edhe dënimin me vdekje që na kishte ardhur tashmë në duar. Gjatë kësaj kohe, shoferi dhe shoqëruesi i Bujarit shkojnë tek të afërmit e tyre në Vlorë, por rrihen barbarisht nga banditët. Shpëtojnë në fije të perit, vetëm kur ndërhyn kunati vlonjat i shoferit të Ramës. Bujari nuk e merr parasysh mendimin tim për t’u larguar. Ai nuk merr asnjë vendim. Besnik Hidri, vartës i Bujarit, një nga oficerët më të shkëlqyer të SHIK-ut, organizon nxjerrjen e nënkryetarit të SHIK-ut nga zona e rrezikshme. Lajmëroj në telefon policinë që të marrë në mbrojtje nënkryetarin e SHIK-ut, por, nga ana tjetër, ne e kishim nxjerrë Ramën me kohë nga një drejtim tjetër nga Vlora. Nuk mund të kishim besim tek ajo polici që kishte zëvendësuar të parën.
Data 27 në darkë, më vjen informacion se tek vila afër SHIK-ut kishte ardhur një nga figurat kryesore të PS-së. Në datën 28 në mëngjes, “titullari” i PS-së largohet nga Vlora. Ora 1 pas mesnate. Data 28 shkurt. Besnik Hidri kthehet në zyrë dhe më thotë se e kishte përcjellë gjeneral Ramën. Data 28 shkurt, ora 18 e 30 minuta. Kisha rreth një gjysmë ore që qëndroja përballë universitetit, në krah të rrugës. Para hyrjes kryesore ndalojnë një makinë dhe një veturë me targa të Lushnjes. Nga vetura zbresin 4 vetë. Ata shkojnë drejt shkallëve të universitetit, atje ku ishte drita më e fortë. Fillojnë të improvizojnë një sherr, i cili zgjat për disa minuta. Nxirret një thikë dhe bëhet sikur goditet. Tjetri që u “sulmua” bie përtokë. Këta të tre i hipin veturës dhe të dyja makinat shkojnë në drejtim të SHIK-ut. Shikoj personin që “ra” përtokë, i cili fillon të ulërasë me sa ka në kokë: “Më vranë shikasit. Tek SHIK-u”- dhe sakaq ai çohet në këmbë dhe zhduket. Ngjitem në Kuz Baba. Lidhem me godinën brenda, ku kishim 16 vetë gjithsej. Përgjegjës turni ata kishin Lekë Qokun. I them: Lekë, turmat po vijnë drejt godinës, më shpjego se çfarë po bëjnë?” Leka më përgjigjet se ata po afronin një makinë vetëshkarkuese riportabël me karrocë të ngritur. Siç dukej, donin ta përdornin si mburojë nga frika e ndonjë goditjeje nga ana e SHIK-ut. Unë raportoj lart për gjendjen. Nga Leka më vjen informacioni se bëhej fjalë për rreth 80 vetë të armatosur me “Tomsonë”, “Zastava”, kallashnikovë, “çifte”, dhe me granatahedhës. Hapet zjarr kundër godinës. Nga vila e Brokajve vjen zjarr thikë, ndërsa nga një shtëpi tjetër, nga ana tjetër e SHIK-ut, qëllohet gjithashtu me zjarr. “Shokët” vazhdojnë të qëllojnë vetëm në ajër. Nga turma është fakt se nuk u vra askush. Zjarri i turmës hapej që nga 20 metra larg. Pyes Lekën se çfarë shihte. Ai më përgjigjet: “Në dhomë shoh vetëm flakë dhe tym. Jashtë shikoj vetëm gra dhe fëmijë. Ata që qëllojnë janë fshehur pas grave dhe ne nuk mund t’i godasim dot. Shikojmë vetëm flakët e armëve të tyre.” Marr në telefon “shokët” që ndodheshin tek Ujët e Ftohtë. Ata më raportojnë se nuk mund të vijnë në ndihmë, sepse gjithçka ishte llahtarë. Një qytet i tërë i armatosur.
Leka më thotë: “Kosta, jam plagosur!” Zëri i tij po vinte duke u shuar. Ai shton: “Këtu është tym e flakë. Shikoj vetëm dy trupa të shtrirë. Më ka hyrë një plumb në krahun e djathtë e më ka dalë matanë.” Efektivi kishte edhe bomba dore, por asnjeri prej tyre nuk dinte t’i përdorte. Si organ informativ, ne asnjëherë nuk kemi patur detyrë për të përdorur armët, por vetëm për të dhënë informacion. Berisha na kishte urdhëruar, që ne të mos hapnim zjarr kundër turmës, por vetëm kundër eksponentëve. “Repartet duhet të ruhen pa vrarë njerëz”, – kishte thënë ai.
Ora 12 e 15. SHIK-u goditet me granatahedhës. Gati tërë kati i dytë shembet. Në këtë çast ndërpritet komunikimi me telefon. Mbeten 6 të vrarë, ndërsa 10 të tjerët shqyejnë një nga dritaret e siguruara me hekura dhe dalin duke iu kacavirur kodrës. Atje u dalin disa nga banorët vlonjatë të cilët i strehojnë nëpër shtëpia. Evakuimi i tyre për në Tiranë, një e nga një, do të fillonte vetëm pas dhjetë ditësh.
Nuk kalojnë shumë minuta dhe më vjen një tjetër telefonatë nga jashtë, ku më njoftohej se Besnik Hidri ishte hedhur nga kati i dytë dhe ndodhej tek oborri i shkollës së marinës, e cila është ngjitur me ndërtesën e SHIK-ut. Në të vërtetë Besnikun e kishte hedhur atje presioni i goditjes nga granatahedhësi. Kolegu ynë e kishte gjetur të shtrirë në bar. Marr në telefon komandantin e marinës, një pusht djalë. Ai më përgjigjet se nuk mund ta ndihmonte se kishte hall se mos e vrisnin.
Kolegu im e merr në makinë për ta çuar atje ku i thashë unë, në spital, po rruga ishte plotësisht e bllokuar. Atëherë e urdhëroj ta dërgonte në Pashaliman, ku më pas do të çoja një infermiere. Pas ndërtesës së SHIK-ut u vjen radha depove dhe reparteve afër ndërtesës. Goditet komanda e marinës dhe shkolla e Marinës. Për 2 orë shkatërrohet gjithçka.
Ora 2 e mëngjesit. Rrethohem në Kuz Baba. Nuk sulmohem pasi ndërhyjnë disa oficerë vlonjatë. Numëroj 4 herë tentativë për sulm kundër zyrave që kishim në Kuz Baba. Më në fund, me një makinë të një oficeri vlonjat, largohem fshehurazi në drejtim të fabrikës se çimentos, në Pallatin e Sportit dhe mbërrij tek “Kulaçi”. Sapo arrij atje më ndalon një grup i armatosur, rreth 20 veta gjithsej. Ata kishin ngritur një barrikadë në rrugë dhe kishin lënë vetëm një shteg të vogël për të kaluar. Një burrë me një hu të madh në dorë më urdhëron të zbres poshtë. Shikoj 4 trupa të shtrirë. Ishin të shokëve tanë. Një grua i binte njërës kufomë me sopatë, duke e copëtuar në copa të vogla. Një tjetër grua, shumë e shëmtuar në fytyrë ngjyente duart në trupin e Lekë Qokut. Ai po jepte shpirt. Gruaja, e shkurtër ngjyente duart në gjakun e Lekës dhe ia tregonte turmës duke u ngërdheshur me histerizëm. Gjaku i përlyente edhe krahët. Shtanga. Të pasnesërmen më vjen informacioni se ajo grua kishte qenë Luiza Hoxha, deputetja e sotme e Kuvendit shqiptar. Ai që kishte hurin më duket se më njeh dhe më thotë të largohem. “Ikni, frikacakë”, – thotë ai. Hyj në Pashaliman. Shoh 14 oficerë dhe kapterë. Takoj oficerin që kishte sjellë aty Besnik Hidrin. Trupi i tij ishte buhavitur krejtësisht, ndërsa gjysmën e krahut dhe syrit të majtë e kishte krejtësisht të shpartalluar. E pyeta: “Besniku je?” Ai më përgjigjet vetëm me një lëvizje qerpikësh. U lutem oficerëve të nxjerrin anijet. Ata më përgjigjen: “Ik edhe ti që këtej, se po të gjetën këtu, do të na vrasin edhe ne.” Lajmëroj për ardhjen e një helikopteri. Ai vjen në orën 4 e 15, por Besniku nuk gjen më shpëtim. Ai vdes gjatë rrugës.
Po në datën 1 mars. Sulmohet pika sinjalo-vrojtuese e Bazës Detare dhe Baza Rezervë e Flotës që shërbente për riparimin e nëndetëseve. Kapterit Fatmir Koka i mbarojnë të 4 karikatorët me fishekë, pasi kishte zbrapsur banditët për 40 orë rresht. Banditët e kapin rob dhe të gjallë i presin kokën dhe i qërrojnë sytë. Për ironi të fatit, do të ishin pikërisht këta politikanë, që më pas do t’i dërgonin jetimëve në shtëpi dekoratën e babait hero. Në tunelin e nëndetëseve 630 metra të gjatë, vidhet gjithçka, me një vlerë qindra milionë dollarë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s