Pa pjesëmarrjen e opozitës, procesi zgjedhor konvergjon në një farsë elektorale. Destabilizohet Shqipëria

 

Jakup B. GJOÇA
Gazetar i “Telegraf”

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ

Pa pjesëmarrjen e opozitës, procesi zgjedhor konvergjon në një farsë elektorale. Destabilizohet Shqipëria
Pa pjesëmarrjen e opozitës, zgjedhjet nuk janë zgjedhje. Procesi zgjedhor pa opozitën konvergjon në një farsë elektorale. Kjo në asnjë rast nuk duhet të ndodhë pse, pasojat do të jenë të mëdha dhe afatgjata. Vendi dhe shoqëria jonë do të përballet me situata serioze destabiliteti

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetari i KQZ në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë qartë: Pa opozitën, procesi zgjedhor është farsë elektorale dhe destabilizon vendin. Ndaj duhet arritur konsensusi. Prof. Kume shprehet se kryetari i KQZ i kapërcen kompetencat kur u shpreh se nuk ka kohë për numërimin elektronik. Mospjesëmarrja e Opozitës në Zgjedhje Parlamentare, shprehet Prof. Kume, mund të krijojë edhe krizë kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, në problemin politik se nuk mund të zgjidhet parlament i ri pa opozitën në zgjedhje parlamentare. Prof. Kume thotë se ligji i dekriminalizimit nuk përmban “Vetting” për kandidatët për deputetë. Gjithashtu, Prof. Kume thotë se pa dakortësinë e Opozitës nuk mund të ketë reformë në Drejtësi, sepse shkelet Fryma dhe Germa e Kushtetutës.

-Prof. Kume, a ka kompetencë kushtetuese KQZ, që t’u kërkojë partive politike listë me 5.000 firma për t’u regjistruar si subjekt politik në zgjedhjet parlamentare??
– Diskutimi që parapriu dhe shoqëroi këtë vendim të KQZ, si objekt të tij kishte një çështje, që nuk kishte lidhje me kërkesat, ose interpretimin që mund t`i bëhet nenin 64 të Kodit zgjedhor. Fjala ishte për kërkesat e nenit 68, pika 3, e cila në fakt, duhet thënë se nuk është dispozitë shteruese dhe kërkon interpretim. Dispozita trajton problemin e regjistrimit të listës së kandidateve që paraqesin partitë politike, që janë regjistruar si subjekt zgjedhor. Sipas saj, që një parti politike të përjashtohet nga detyrimi për të shoqëruar listën e kandidatëve me një listë mbështetëse të nënshkruar nga jo më pak se 5000 zgjedhës, në shkallë kombëtare, duhet të dorëzojë në KQZ një vërtetim me shkrim, të nënshkruar nga Kuvendi, ku vërtetohet zotërimi prej saj i të paktën një mandatit, të paktën 6 muajt e fundit. Paqartësia e kësaj dispozite qëndron në faktin se si duhet të llogaritet periudha, që dispozita kërkon me shprehjen e saj “..të paktën 6 muajt e fundit”. Këtë duhet që ta qartësojë KQZ-ja. Këtë kërkoi të bënte KQZ kur në tavolinën e saj u vendos për diskutim kërkesa e partisë LIBRA për t`u regjistruar si subjekt zgjedhor. Qëllimi i KQZ punë e filluar jo në kohë dhe, për më tepër, duke qenë se ky diskutimin mori ngasje dhe u bashkëshoqëruar me shqyrtimin e kërkesës së LIBRA për t`u regjistruar si subjekt zgjedhor, ky angazhim i KQZ u ndesh me reagimin e fortë politik të LIBRA. LIBRA u regjistrua, por problemi ka mbetur pa marrë përgjigje. LIBRA mund të jetë prapë objekt diskutimi në tavolinën e KQZ. Kjo do të ndodh kur kjo parti do të paraqesë për regjistrim listën e kandidatëve të saj. KQZ-ja në këtë rast do t`i referohet kërkesës së nenin 68 dhe LIBRA-se do t`i duhet të vërtetojë se ose është në kushtet kur e plotëson kërkesën në lidhje me zotërimin e mandatit të paktën 6 muajt e fundit, ose do të shoqërojë listën e saj me listën mbështetëse të jo më pak se 5000 zgjedhësve. Për sa kohë që gjykimi në lidhje me plotësimin ose jo të kërkesës së parë, ka të domosdoshëm një vendimmarrje të KQZ-së, që në këtë rast është vendim me shumicë të thjeshtë, për të parandaluar përballjen me çdo të papritur, LIBRA duhet të shkojë në KQZ për të regjistruar listën e kandidatëve të saj, duke e shoqëruar atë me listën mbështetëse të të paktën 5000 zgjedhësve. Pra, ligji zgjedhor është e nevojshme të qartësohet.

– A shkelen afatet për regjistrimin e partive politike në listën zgjedhore? A ka qëllime politike?
Partitë politike kanë të drejtë të regjistrohen në KQZ si subjekte zgjedhore deri jo më vonë se 70 ditë nga dita e zgjedhjeve. Afati përfundon ne 9 prill. Janë partitë politike që dëshirojnë të hynë në garën zgjedhore, që duhet të paraqesin kërkesën për t`u regjistruar.

– Nëse opozita nuk pranon të regjistrohen partitë politike për zgjedhjet parlamentare të 19 qershorit 2017, çfarë mund të ndodhë?
– Pa pjesëmarrjen e opozitës, zgjedhjet nuk janë zgjedhje. Procesi zgjedhor pa opozitën konvergjon në një farse elektorale. Kjo në asnjë rast nuk duhet të ndodhë, pse pasojat do të jenë të mëdha dhe afatgjata. Dhe, nëse i referohemi zhvillimeve të derisotme (jo më larg se dje 26 parti të opozitës i dërguan KQZ një letër, ku e njoftojnë se nuk do të regjistrohen si subjekte elektorale, për sa kohë që nuk do të plotësohet kërkesa për qeverinë teknike), nevoja për dialog, për angazhim të të gjithë palëve politike për të gjetur zgjidhje, është domosdoshmëri. Kundërshtitë përjashtuese, qëndrimet që mbyllin çdo shteg për pika takimi midis mazhorancës dhe opozitës, mungesa e plotë e vullnetit për të dëgjuar dhe konsideruar shqetësimin, mendimin dhe propozimin e njëri tjetrit, duhet me domosdo të kapërcehen, pse kështu e do e mira e këtij vendi. Zgjedhjet në asnjë rast nuk duhet të cenohet dhe aq më shumë nuk duhet të dështojnë. Ndryshe, jo vetëm që për integrimin evropian as që nuk do të mund të bëhet fjalë, por destabiliteti politik do të ulet këmbëkryq ndër ne dhe, me shumë gjasa, vendi dhe shoqëria e jonë do të përballet me situata serioze destabiliteti.

– A mund të shtyhen zgjedhjet vetëm ngaqë nuk pranon Opozita të regjistrohet në Listën Zgjedhore?
– Trajtimi i mundësisë për të shtyrë ditën e zgjedhjeve mund dhe duhet të konsiderohet në rastin kur mazhoranca dhe opozita, nuk do të arrijnë të gjejnë zgjidhjen kompromis, që do të bënte të mundur pjesëmarrjen në zgjedhje të të gjithë palëve. Precedentë të tillë ka. Në zgjedhjet për organet e pushtetit vendor të vitit 2006, dita e zgjedhjeve u shty për të gjetur zgjidhjen që do të bënte që opozita e asaj kohe, të merrte pjesë në zgjedhje. Me angazhimin konstruktiv dhe këmbëngulës të Presidentit të vendit, zgjidhja e problemit të asaj kohe u arrit. Opozita hyri në zgjedhje, që u zhvilluan në shkurt 2007. Në aspektin formal procedural është po e njëjta situatë. Ndryshimi qëndron në faktin se problemi që kërkohet të zgjidhet, kërkesat e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje vetëm nëse dorëhiqet qeveria aktuale dhe vendin e saj e zë një qeveri teknike, është shumë më i madh. Ndaj, dhe energjitë që duhet të konsumohen, aktorët që mund ose duhet të përfshihen në mbështetje të procesit të dialogimit midis palëve, koha që mund të kërkohet deri në gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për palët, ndryshojnë shumë nga ato të vitit 2006. Problemi është shumë më kompleks. Situata është e ngarkuar dhe rëndohet akoma më shumë, jo vetëm nga efektet e veprimit, afatet dhe detyrat për zbatimin e kërkesave të legjislacionit zgjedhor, por edhe pse e gjithë kjo është e bashkëshoqëruar me procesin për realizimin e reformës në sistemin gjyqësor.

– Kryetari i KQZ zoti Biba ka deklaruar që nuk ka kohë për t’u përgatitur për numërim elektronik. A është në kompetencën kushtetuese të kryetarit të KQZ që të shprehet publikisht për këtë çështje të madhe politike?
– KAZ-ja është organi që ligji e ngarkon me detyrimin për të organizuar dhe administruar procesin zgjedhor. Rregullat dhe procedurat ligjore, në zbatim të të cilave KQZ duhet të organizojë dhe zhvillojë gjithë punën e tij, janë e drejtë dhe detyrim për t`u hartuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Në këtë kuptim, për mendimin tim që KQZ-ja, anëtare të saj, ose edhe Kryetari të shprehen, në këtë cilësi, për mundësinë ose jo të realizimit të një procedure të caktuar cilado qoftë ajo, (numërimi elektronik) është kapërcim i pajustifikuar i të drejtës që ligji ju njeh atyre. Në asnjë rast, kjo mundësi e dhënë, nuk duhet të përdoret për të justifikuar përfshirjen e saj ose të anëtarëve të saj, në diskutime të çështjeve, që përveç aspekteve procedurale që kanë, shoqërohen, ose prodhojnë diskutim politik.

– A ka problem ligjor në afatet e zgjedhjes së Presidentit, siç e përcakton Kushtetuta e Shqipërisë?
– Leximi i kujdesshëm i kërkesave të Kushtetutës në lidhje me afatet që parashikohen për fillimin e procesit dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës, tregon se ky proces mund të realizohet pa qenë i kërcënuar nga ndonjë ngërç procedural, që mund të shkaktojnë afate kohore. Tjetër gjë janë afatet kohore dhe tjetër është diskutimi nëse Presidenti do të zgjidhet nga Parlamenti aktual ose jo. I pari është i trajtuar, në mënyrë shteruese, në Kushtetutë. I dyti, më shumti ka ngarkesa te diskutimit politik që, në situatën aktuale mund të shumohen edhe prej bojkotit të Kuvendit nga opozita.

– Si mund të zgjidhet ngërçi kushtetues, duke pasur parasysh se kemi njëkohësisht edhe zgjedhje parlamentare? Cilat janë alternativat që kushtëzon Kushtetuta?
– Në vlerësimin tim zgjedhja e Presidentit edhe në kushtet kur në qershor bëhen zgjedhjet parlamentare, nuk përballet me ngërç kushtetues. Kushtetuta parashikon që procesi për zgjedhjen e Presidentit të fillojë jo më vonë e se 60 ditë nga dita e mbarimit të mandatit të presidentit aktual dhe, në rast se mandati i presidentit mbaron në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhje fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Kërkesa e parë detyron fillimin e procedurës jo më vonë se data 24 maj dhe kërkesa e dytë, jo më vonë se data 9 korrik. Duke qenë se procedurat për zgjedhjen e presidentit kërkojnë një afat maksimal deri në 5 javë, që ky proces të mos ketë mbivendosje me zgjedhjet, me fushatën elektorale, e cila fillon në 18 maj, është e udhës që ato të fillojnë në dhjetëditëshin e parë të prillit. Ky është aspekti procedural kohor, që si i tillë nuk përballet me ngërç. Problem mund të lind vetëm në rastin kur, opozita do të vazhdojë të bojkotojë pjesëmarrjen në Kuvendi. Në këtë rast, për të filluar procedurat për zgjedhjen e Presidentit, mazhorancës i duhet të sigurojë shumicën e cilësuar, në hapjen e seancave ku kërkohet vendimmarrje me këtë shumicë. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 e kanë lehtësuar procedurën e zgjedhjes së Presidentit edhe nga ngarkesat politike që normalisht ky proces mund të prodhojë. Sipas tyre, procedura fundore parashikon zgjedhjen e Presidentit vetëm me dakortësinë e maxhorancës, kur ajo shprehet pro kandidaturës, me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të Kuvendit. Duke qene se vendi ka hyrë në procesin zgjedhor, zgjedhja e Presidentit mbivendoset me zgjedhjet parlamentare. Me gjithë këtë, procedura për zgjedhjen e tij mund të zhvillohet normalisht, edhe pse Kuvendi mund të konsiderohet se nuk është në kushte normale pune. Kështu p.sh. këtij Kuvendi do t`i duhet të mblidhet pas datës 24 korrik, datë kur i mbaron mandati presidentit aktual, për të përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të ri, betimin e tij. Ndërkohë, zgjedhjet do të kenë prodhuar një përbërje tjetër, deputetë të tjerë, mazhorancë dhe opozitë të re, për Kuvendin. Me gjithë këtë, në aspektin ligjor, kushtetues kjo nuk sjell asnjë pasojë. Kuvendit aktual i përfundon mandati ditën kur mblidhet për herë të parë, në seancë plenare, Kuvendi që do të dalë nga zgjedhjet e qershorit.

– Prof. Kume, a parashikon Kodi Zgjedhor, Vetting për kandidatët për deputetë?
– Kontrolli i figurës së kandidatëve për deputet është detyrim që rrjedh nga kërkesat e ligjit për dekriminalizim. Kandidatet janë të detyruar të bëjnë vetëdeklarimin për çfarë parashikohet në këtë ligj. Në këtë ligj nuk përfshihet termi “Vetting”. Vettingu është proces i cili, sipas Kushtetutës, është i domosdoshëm për t`u kryer për pjesëtarët e trupës së pushtetin gjyqësor.

– Ju prof. Kume, a mendoni se alarmi që dha ambasadori i ri i OSBE në Tiranë, që 2 miliardët euro që qarkullojnë nga trafikimi i Kanabis mund të blejnë votat dhe deputetët në 18 qershor 2017?
– Perceptimi qytetar është se zgjedhjet janë të kërcënuara nga efekti që mund të sjell përdorimi i parave me burime të pakontrolluar. Mjedisi shoqëror është i mbingarkuar me informacione për prodhimin, qarkullimin dhe trafikimin e sasive të konsiderueshme të Kanabisit dhe, për rrjedhojë, edhe të parave të shumta që bota e krimit është duke grumbulluar. Këto janë kërcënim për demokracinë, janë kërcënim për zgjedhjet. Bota e krimit është e pakursyer në përdorimin e parave të pista për të rrëmbyer pushtetin. Kjo është edhe një ndër arsyet pse kërkohet që në ligjin zgjedhor të rishikohen dhe të trajtohen në mënyrë më të plotë dhe sa më shteruese çështjet që kanë të bëjnë me financimin e partive politike me fonde jo publike. Kjo është arsyeja edhe pse është kërkuar që blerja e votës dhe çdo presion tjetër që mund t`i bëhet zgjedhësit, me para, mall ose shërbim, të klasifikohet si figurë krimi “korrupsion zgjedhor”, për ndëshkimin e të cilit të parashikohen masa shumë të forta.

– Me këtë klimë politike, me problemin e madh të Canabizimit të gjithë Shqipërisë, me Trafikimin e tonelatave Kanabis nga Shqipëria nëpër Evropë, a besoni se mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme?
– Unë besoj se, në se të gjithë, partitë politike, administrata zgjedhore, institucionet që ligji i ngarkon me detyra në kuadër të procesit zgjedhor, qytetarët, zgjedhësit, kanë vullnetin për të zhvilluar zgjedhje të lira, të ndershme dhe në standardet e gjithëpranuara, çdo gjë është e mundshme për t`u kapërcyer. Në çdo rast zgjedhjet janë produkt i të gjithë shoqërisë dhe vetëm kur të gjithë bëhen bashkë dhe me vullnet të mirë, ato arrijnë të zhvillohen si procese demokratike. Ndryshe, zgjedhjet mund të shndërrohen në procese që mund të sjellin pasoja shumë të mëdha për të tashme dhe për të ardhmen e zhvillimit të të gjithë vendit dhe shoqërisë.

– PS organizoi proces firmimi (nënshkrimi) të qytetarëve për peticion për të detyruar Parlamentin të votojë Vettingun, Mos duhet organizuar Referendum në shkallë kombëtare për Reformën në Drejtësi, derisa ka zvarritje të qëllimshme politike?
– Kërkesa që qytetaret të shprehen, duke nënshkruar një peticion, për nevojën për zbatimin e vettingut, në aspektin legjislativ nuk prodhon asnjë gjë. Në aspektin moral e shoqëror është një aksion që partitë politike duhet ta konsiderojnë me vëmendje maksimale.

– A ka vlerë politike, kushtetuese, ligjore Reforma në Drejtësi pa konsensusin e Opozitës, edhe nëse kjo Mazhorancë mbledh 95 vota në Parlament?
– Reforma në drejtësi ka filluar si nevojë dhe dakortësi e shprehur nga të dy palët, mazhorancë e opozitë. Ndryshimet kushtetuese u miratuan nga të dy palët, duke realizuar dakortësinë maksimale në votimin në Kuvend. Kushtetuta e përcakton zhvillimin e kësaj reforme si një proces me pjesëmarrje të barabartë opozitë-mazhorancë. Çdo devijim nga ky përcaktim do t’i kundërvihej frymës dhe germës së Kushtetutës.

– A ka kuptim dhe qëllime politike që Vettingu të votohet muajin e fundit të mandatit të këtij Parlamenti, dhe pse nuk votohet nga Parlamenti i ri, ku të jetë elektorati të japë Votëbesimin e ri?
– Për mendimin tim Kuvendi në aktivitetin e tij ligjbërës ka të njëjtën fuqi vendimmarrëse dhe vendimet e tij janë njëlloj të vlefshme e të rëndësishme, në çdo kohë që ato merren, gjate të gjithë periudhës katërvjeçare që Kushtetuta parashikon për mandatin e tij. Nuk ka rëndësi fare fakti se kur merret vendimi. Nuk mund të vendoset asnjë kufizim në të drejtën e Kuvendit për të shqyrtuar dhe vendosur për një çështje të caktuar, nisur nga fakti se në cilin muaj të ushtrimit të mandatit të tij ai është, për sa kohë që një gjë e tillë nuk është e parashikuar në legjislacionin përkatës.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s