Qeveria teknike dhe teknikat e qeverisë rilindase për ta evituar.

Nga Dr. Albano Zhapaj

Fryma e lirisë tashmë ka pushtuar shpirtrat e të trysnuarve nga pushteti, atyre njëkohë mbështetës së rilindjes dhe të indiferentëve. Në korridoret e pushtetit po ndihet përditë e më shumë era e ndryshimit, erë e cila po shoqërohet me preokupimet e para të atyre të punësuarve nga pushteti rilindas, se si të mbyllin apo rregullojnë shkresat me të cilat janë përlyer në paligjshmëritë rutinë, zbatimit të “urdhrave nga lart”,  apo të përfitimit personal.

Koncepti i frikës nuk është zhdukur, ai thjesht është transportuar nga të shtypurit tek shtypësit. Ora e llogaridhënies po afron dhe çdo bashkëpunëtor i së keqes, çdo keqpërdorues i detyrës, çdo përfitues i pandershëm i lirisë dhe të drejtave të qytetarit, çdo shpërdorues i ekonomisë dhe parave të qytetarit, do të përballet shumë shpejt me drejtësinë qytetare të Republikës së Re. Fryma e lirisë ka marrë vrull aq të furishëm dhe karizma dhe teknikat e qeverisë për ta reduktuar apo asgjësuar nuk kanë prodhuar dot asnjë rezultat deri tani.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të cilat kërkohen me forcë sot, janë themeli i shtetit dhe i një qeverie përfaqësuese të vërtetë të sovranit. Çdo herë që një votë e hedhur manipulohet i hiqet e drejta e zgjedhjes së lirë një qytetari. Shqipëria sot padyshim që ndodhet në një nga kohërat më të errëta në historinë e parlamentit demokratik. Pamë se si shuma të konsiderueshme “parash të pista” u përdorën në zgjedhjet e fundit për të blerë votuesit, ku dritë jeshile i`u dha zgjedhjes së njerëzve me një të shkuar kriminale, dhe do shohim më keq se kaq, do shohim atë që kjo qeveri është e gatshme të ripërsërisë vetveten me të njëjtat teknika e metoda edhe në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017.

Teknikat e qeverisë aktuale për të mos shkuar në qeveri teknike

Zhvillimet e fundit tregojnë qartë se manovrat dhe teknikat e qeverisë kanë një synim të vetëm; mos shkuarjen në qeveri teknike. Humbja e moralit për të drejtuar vendin, humbja e mbështetjes qytetare qoftë edhe brenda elektoratit të majte, korrupsioni galopant në çdo qelizë të shtetit, koncesionet abuzivë që kanë vënë në rrezik jo vetëm ekonominë e vendit, por edhe shëndetin dhe të ardhmen e qytetarit, si dhe lumenjtë e drogës e hashashit, janë tashmë faktorë të padiskutueshëm të cilët bëjnë të mundur të kuptojmë se kjo qeveri që ‘de facto’ ka rënë, është një qeveri anti qytetare dhe anti kombëtare.

Katër vjet kanë qenë më se të mjaftueshëm që ky popull të kuptojë, mësojë e paguajë mbi lëkurën e vet se cilët kanë qenë njerëzit që u ka besuar votën, qeverisjen e të ardhurave dhe të vendit të tij. Për t`u besuar përsëri pushtetin të paudhëve është një problem i madh, sepse disponojnë gjithë makinerinë e pushtetit dhe mbështetjet ogurzeza për t`i manipuluar apo vjedhur zgjedhjet, pra me pak fjalë: ta marrin votën edhe kur ti nuk i`ua jep.

Të gjitha shtetet moderne herët apo vonë e kanë kaluar nga një dallgë apo krizë politike, dhe vazhdojnë edhe të kalojnë, por ndryshimi qëndron në faktin se dallgët apo krizat politike atje janë të lidhura me ndryshueshmërinë e vizionit të përmirësimit të jetës qytetare, ekonomisë dhe demokracisë, ndërkohë që në vendin tonë bëhet fjalë për manipulim të vullnetit të lirë të votuesit, të qytetarit, pra bëhet fjalë për vjedhje të lirisë dhe pushtetit. Mbasandaj pasojat janë të imagjinueshme, pushtet absolut, demokraci e munguar, mungesë lirie e të menduarit, shprehurit, vepruarit dhe në fund të të jetuarit. Në cilëndo demokraci funksionale vjen një moment që vendi ka nevojë për drejtim nga njerëz profesionistë dhe teknikë, që t`i japë mundësi çdo force politike të ketë shanset e barabarta në shpalosjen e programit përkatës dhe garimin me rregulla demokratike për përfaqësimin dhe drejtimin e vendit. Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për një qeveri teknike.

Ç`farë nënkupton qeveria teknike?

“Qeveri Teknike” është një shprehje që i përket fjalorit parlamentar të një demokracie funksionale dhe e gjejmë si terminologji dhe si praktikë të përdorur dhe të përdorueshme në shumicën e shteteve perëndimore e botërore.

Me “Qeveri Teknike” nënkuptohet një qeveri me një identitet të padeklaruar politik, që shumë shpesh  mbështetet nga të gjitha forcat politike në situata të jashtëzakonshme (sidomos në situata të veçanta politike dhe ekonomike), kur sistemi i partive fituese, pra mazhoranza, nuk është më në gjendje të demonstrojë se ka një qeveri plotësisht funksionale e në interes të vendit.

Në këto raste, nisur edhe nga përvoja e republikave demokratike perëndimore,  i jepet detyra e formimit të një qeverie të të re, të përkohëshme, personave me aftësi teknike,  të cilat nuk janë pjesë e formacioneve politike, në mënyrë që të udhëheqë vendin dhe të marrë masa, sipas rasteve urgjente, për sigurimin apo plotësimin e kushteve për zgjedhje të reja, të pa ndikuara nga vetot e partive politike në Parlament.

Termi “teknik” ndonjëherë asociohet me konceptin politik të qeverisjes së një shteti, e njohur si teknokraci, çka nënkupton një “qeverisje të teknikëve” si një përpjekje për të zgjidhur problemet e një vendi demokratik, racional dhe rigoroz, përtej konflikteve politike e ideologjike, kësisoj larg logjikës apo llogjikave partiake, të cilat janë zakonisht logjika tipike të interesit të partive. E pra kjo është qeveria teknike dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë në mbështetje të kërkesave opozitare për sigurimin e votës së lirë dhe më tej krijimit të bazave të shëndosha për një zhvillim e mirëqenie qytetare.

Qeveria po tenton të manipulojë ndërkombëtarët.

Zëvendësimi i disa ministrave nuk justifikon apo zëvendëson dot ekzigjencën dhe emergjencën për krijimin e një qeverie teknike. Largimi i disa ministrave nga më problematikët për demokracinë dhe shtetin shqiptar, dhe zëvendësimi i tyre me njerëz gjasme “më të pranueshëm” apo “më teknikë”, jo vetëm që është një tentativë për të zbehur emergjencën e kohës për të bërë një qeveri teknike, por përdoret më së shumti për t`u hedhur “hi syve” ndërkombëtarëve, të cilët këto 25 ditë po ndjekin me vëmendje situatën politike në Shqipëri, po kuptojnë përditë e më mirë fytyrën e vërtetë qeverisëse dhe rrezikun e madh që përbën kjo qeveri jo vetëm për shqiptarët, por edhe për rajonin dhe Evropën, si një qeveri që helmon vendin e vet me plehra dhe të rinjtë e vendeve evropiane me drogën dhe hashashin, i cili për më se katër vjet ka jeshiluar tokën shqiptare dhe mbushur xhepat e krimit.

Nevojë për rindërtimin e një shteti ligjor e demokratik

Në një kohë kur qeveria nuk reagon për interesat e qytetarëve, krijimi i një qeverie teknike do t`i shërbente jo vetëm përmirësimit të menaxhimit dhe ofrimit të shërbimeve më të mira qytetarëve, por edhe do të ndihmonte në rivlerësimin dhe ristrukturimin qeverisës, sepse dihet se qeveritë nga natyra e tyre kanë tendencë që të rriten si në përmasa ashtu edhe në qëllim, duke ngushtuar kështu lirinë dhe interesat e qytetarëve. Qëllimi final i një qeverie të re, apo edhe të një republike të re, siç fuqishëm po kërkohet nga protestuesit dhe opozita në atë që po quhet çadra e lirisë, duhet të jetë krijimi i një rendi kushtetues dhe demokratik që të sigurojë domosdoshmërish mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve, prosperitetit të qëndrueshëm, forcimit të familjes shqiptare dhe rritjes ekonomike të saj, nëpërmjet garantimit të lirisë, dinjitetit, si dhe sipërmarrjes së lirë.

Qeveria e mazhorancës së majtë në këto katër vjet në drejtimin e vendit nuk solli dot asnjë risi, asnjë stimulim për ndryshim thelbësor, asnjë reformë substanciale apo program, përkundrazi po risolli programe të vjetruara të epokës diktaktoriale, duke u nisur nga arsimi, shëndetësia, ekonomia, qeverisja vendore, etj, të provuara si të dështuara dhe të papërshtatshme për t’iu përgjigjur nevojave aktuale dhe të ardhmes.

Parlamenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme duhet të jetë vendi i përfaqësuesve të vërtetë të popullit, dhe duhet të shndërrohet në pushtetin bazë të Republikës së Re parlamentare. Parlamenti duhet të fuqizohet dhe të fitojë autoritetin e tij ligjbërës dhe jo të jetë thjesht aprovues i ligjeve të qeverisë, ku nga sa u pa këto katër vjet, deputetët dinë vetëm të rreshtohen me kartonat e tyre për miratim ligjesh e aktesh, të cilat përtej faktit që as i kanë lexuar përpara se t`i miratojnë, shkojnë në dëm të interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe në favor të pasurimit dhe interesave të oligarkëve.

Qeveria e re e dalë nga vullneti i lirë, i votës së lirë, duhet të ndryshojë rrënjësisht këtë sistem apo model të dështuar qeverisës dhe duhet t`i bëjë gjërat në një mënyrë tërësisht të ndryshme për të përmbysur njëherë e mirë centralizimin dhe përqendrimin e pushtetit të qeverisë së Tiranës, në një numër të ngushtë pushtetarësh e oligarkësh, dhe të forcojë dhe t`i jap rol edhe pushtetit lokal, pushtetit që buron direkt nga sovrani, autoritetit të tij financiar dhe kontrollit mbi territorin. Vetëm kështu mund të themi se kemi krijuar Republikën e Re.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s