Kush ishte mësuesi shpirtëror i Ertogrul?

 

Mustafa Tahrali

Ertogrul, një hero për Turqinë, kishte një mësues të tij shpirtëror. Pak flitet për të, por ai zë një vend mjaft të rëndësishëm në lidhjen mistike të legjendës së Turqisë me këtë shenjtor. Është ai, i cili e forconte në besim. Është ai, i cili i shfaqej Ertogrulit me imazhe udhëzuese. Po kush ishte ai? Bëhet fjalë Ibn ‘Arabi, një dijetar sufi mjaft i njohur për kohën.

Është e qartë se nuk mund të analizohen gjashtë shekuj të Perandorisë Osmane në disa faqe, por mund të jepet një ide mbi influencën e Ibn ‘Arabi duke përmendur emrat e një sërë aktorësh akbarian dhe duke e përshkruar subjektin siç duhet në mënyrë që të tërhiqet vëmendja e kërkuesve për këtë periudhë të historisë intelektuale sufi, një periudhë aq e pasur me dokumente, por e studiuar shumë pak deri tani.
Siç dihet, Ibn ‘Arabi u nis drejt Orientit pas vizionit të tij në vitet AH 597/AD1200. Ai kaloi përmes Tunizisë dhe Kajros dhe bëri pelegrinazh deri në Mekë. Në vitet 601/1204 e gjeti veten në Bagdad dhe Mosul. Nga atje ai udhëtoi drejt Anadollit. Qëndroi në Malatja dhe Konia dhe më pas u rikthye edhe një herë në Kajro. Më pas u largua në vitet 604/1207 dhe shkoi në Alepo dhe Konia.
Kjo ka qenë me siguri koha kur është martuar me nënën e ve të Sadr al-Din, të cilin, pavarësisht moshës së re e njohu si dishepull dhe më pas i dha autoritet për të lexuar veprat e tij. Në Anadoll ai vizitoi qytetet të mëdha si Kajseri, Malatja, Sivas dhe Harran, për t’u kthyer më pas në Bagdad. Atje u njoh me Shihabal-Din ‘Umar al-Suhrawardi. Në vitet 610/1213 ai u gjend në Alepo dhe në vitet 611/1214 u rikthye në Mekë. Në vitet 612/1215 ishte përsëri në Anadoll. Kaloi disa vite në Malatja dhe i dha disa njerëzve të drejtën për të lexuar librat e tij, në vitet 620/1223 ai shkoi në Damaskus ku u sistemua dhe shkroi Fusus dhe më pas rishkroi Futuhat.
I kam kaluar me shpejtësi këto detaje biografike pasi në të njëjtët vite dhe në të njëjtin vend, u zhvillua edhe emigracioni i një familjeje tjetër, por këtë radhë nga Lindja në Perëndim. Baha’ al-Din Walad, babai i Jalal al-Din al-Rumi, i quajtur shpesh me emërtimin Mawlana (Mjeshtri Ynë, Perëndia Jonë), u largua bashkë me familjen e tij nga qyteti Balkh në Khorassan, afërsisht gjatë viteve 618/1221. Ata ndoqën një rrugë që i çoi në Bagdad, Mekë, Siri (Damaskus) dhe Anadoll. Në fund ata u sistemuan në Konia. Mawlana duhet të ketë qenë fëmijë ose shumë i ri gjatë udhëtimit. I ati i Mawlana, një sufi i mirënjohur, ndërroi jetë në vitet 628/1231.
Është shumë domethënëse që të dy emigrimet, një nga kufiri më i largët i botës islamike në Perëndim dhe tjetri nga Lindja, u zhvilluan të dy në të njëjtën kohë dhe në të njëjtat vende, duke u mbyllur në fund në Konia. Dishepulli i Ibn ‘Arabi, Sadr-al-Din al-Qunawi, u bë një nga bashkudhëtarët e Jalal al-Din al-Rumi. A ka arritur Ibn ‘Arabi të takojë Baha’ al-Din Walad, babain e Mawlana ose vetë Mawlanan?
Nga të dhënat tona historike, nuk mund të thuhet se kjo ka ndodhur. Por sipas biografisë së shenjtorëve, ai ishte ende një fëmijë, mbërriti me të atin në Damaskus ku u takua me Ibn ‘Arabi, i cili tha: “Lavdi Perëndisë së ardhshme! Një oqean që ecën pas një liqeni!”. Gjatë viteve kur Ibn ‘Arabi jetonte në Damaskus, Mawlana shkoi atje për të studiuar për disa vite me radhë. Megjithatë, ende nuk janë zbuluar informacione të këtij takimi.
Gjatë shekullit XVII të Hixhrit, Almohadët në Perëndim pësuan një dështim të madh dhe humbën Kordobën dhe Sevilen në vitet 668/1269. Në Lindje, forca mongole shkatërruan gjithçka që u doli përpara nga Azia Qendrore e më tej, duke sjellë fundin e Kalifatit të Abasidit në vitet 656/1258 dhe duke shkatërruar Bagdadin. Ata lëvizën më pas drejt Anadollit dhe u përgatitën të shkatërronin edhe Seljukidët. Pas rënies së tyre, “shteti i tretë” (i quajtur “Bejlik” në turqisht) i Utman Bejit u themelua në vitin 1299 në veriperëndim të Konias. Kështu, ai u njoh në histori si sundimtari i Seljukidëve dhe Abasidëve. Ishte fillimi i një cikli të ri, ku pika e nisjes rastis spiritualisht dhe intelektualisht me mësimet e mjeshtërve si Ibn ‘Arabi, Mawlana dhe al-Qunawi.
Mund të vëzhgohet se si shteti i ri osman, themeluesi i të cilit ishte kunati i shajkut i quajtur Edebali, filloi të lulëzojë në mjedisin dhe themelin intelektual të sufizmit. Anadolli kishte gëzuar për një shekull të tërë një periudhë ringjalljeje dhe islamizmi përmes aktiviteteve të tarikateve të vendosura së fundmi. Për më shumë se një shekull përpara themelimit të Perandorisë Osmane, mësimet e Ibn ‘Arabi të shkruara në arabisht, kishin qenë themeli i njohurive sufiste, të cilave iu shtua edhe persishtja dhe në poezi Mathnawi i Jalal al-Din al-Rumi, i cili kishte hedhur më parë themelet e tarikatit të tij, të cilit i dha formën përfundimtari djali i tij, sulltani Walad. Komentatorët e Mathnawi shpjeguan më pas vargjet dhe mësimet e marra nga Ibn ‘Arabi dhe al-Qunawi.
Mawlana vdiq në vitet 672/1273 dhe Sadr al-Din al-Qunawi vetëm disa muaj më pas. Të dy kanë luajtur rol të veçantë në jetën shpirtërore dhe intelektuale. Duket se themeluesit e shtetit osman i kushtonin vëmendje të veçantë trashëgimisë intelektuale të këtyre mjeshtërve dhe përvetësonin mësimet e tyre. Ka pasur pa dyshim arsye specifike për përvetësimin e mësimeve të Ibn ‘Arabi. A ishte parashikimi në lidhje me osmanët një punë e al-Shajara al-Nu’maniyya fi al-Dawla al-‘Uthmaniyya që iu atribua Ibn ‘Arabit?
Autenticiteti i punës së tij, për të cilin nuk ekziston asnjë kopje më të hershme se e shekujve X dhe XVI, është debatuar shumë. Nëse vetë puna e tij është e dyshimtë, a mund të ketë ndodhur që parashikimet e bëra për themelimin e shtetit osman dhe disa eventeve të tjera që lidhen me të, të jenë bërë nga Ibn ‘Arabi gjatë jetës së tij apo janë shkruar më pas? Ajo që mund të sugjerohet është se sulltani osman, Slimi I, kishte treguar respekt të veçantë për varrin e tij dhe për mësimet akbariane, në mënyrë të tillë që sugjeron se ishte e mjaftueshme për të justifikuar punën e tij, që filloi të qarkullonte pas ekspeditës në Egjipt dhe Siri.
Në çdo rast, ajo që dimë me siguri është se sulltani i dytë osman, Orhan Ghazi, ftoi Da’ud al-Qaysari (d. 751/ 1350), dishepullin e Kamal al-Din al-Qashani, i cili ishte vetë dishepulli i Sadr al-Din al-Qunawi, që të ishte drejtues dhe mësues i medresesë së parë të themeluar në Iznikun e pushtuar së fundmi. Kjo tregon se mësimet zyrtare ishin vënë në lëvizje nga mjeshtri i madh i shkollës akbariane. Këtë event mund ta kuptojmë, në ditën e themelimit të shtetit osman, si sintezën ose aleancën ndërmjet shkencave ekzoterike dhe ezoterike dhe ndërmjet njohurive racionale dhe atyre ezoterike.
Ky event mund të japë edhe idenë se karakteri akbarian i mësimeve zyrtare në fillim të Perandorisë Osmane zgjati më shumë se dy shekuj dhe fundi i ndërtimit të varrit të Shaykh al-Akbar ishte një shenjë e jashtme e asimilimit të mësimeve të tij. Duket se pas këtij eventi Shajara al-Nu’maniyya u bë shumë i njohur, madje një nga frazat përsëritet edhe në ditët e sotme: Kur sulltan Selimi I të hyjë në Damaskus, atëherë do të zbulohet varri i Muhyiddin (Ibn ‘Arabi).
Gjatë viteve dhe shekujve të mëpasshëm as sulltanët dhe as politikanët osmanë, as ata të rretheve sufiste, nuk vunë në dyshim autenticitetin e librit të vogël. Intelektualët osmanë, të formuar nga mësimet e Ibn ‘Arabi ndoshta kishin arsye për të mos dyshuar në të njëjtën mënyrë që ne dyshojmë sot. Fetvaja e Shaykh al-Islam Ibn Kamal e shpallur në kohën e Selimit I, mund të konsiderohet si provë e autenticitetit të Ibn ‘Arabi:
“Kushdo që refuzon të njohë Ibn ‘Arabi është në gabim; nëse këmbëngul do të bëhet heretik. I takon sulltanit të edukojë atë dhe ta detyrojë të heqë dorë nga bindja e tij. Sulltani është i detyruar të respektojë të mirën dhe të ndalojë të keqen. Ibn ‘Arabi ka disa punë si Fusus al-Hikam dhe Futuhat. Mes shkrimeve të tij gjenden edhe disa shprehje që përputhen me Rendin Hyjnor dhe Ligjin Profetik dhe ka të tjerë, kuptimi i të cilëve është i fshehur nga njerëzit e ekzoterizmit, edhe pse nuk janë të qarta për njerëzit e intuitës së ezoterizmit. Ata që nuk arrijnë të kuptojnë qëllimet e shkrimeve të Ibn ‘Arabi është mirë të qëndrojnë në heshtje”.
Mund të duket se kjo fetvaja i jep sulltanit të drejtën për ndërhyrje në favor të mësimeve të Ibn ‘Arabi, ne mendojmë se kjo fetvaja i drejtohej dijetarëve të Egjiptit dhe Sirisë, jo atyre të Anadollit dhe ballkaneve osmane. Mund të nënkuptojmë edhe idenë e mëpasshme: duke qenë se mësimet e Ibn ‘Arabi përmbajnë dy aspekte, një ekzoterik dhe një ezoterik, dhe është pjesërisht e përshtatshme për kuptimin ekzoterik dhe pjesërisht e fshehur prej tij, por e qartë për t’u kuptuar nga ezoterizmi, mund të arrijmë në përfundimin se mësimet islame, pra Kur’ani dhe Tradita Profetike, kanë gjithashtu dy aspekte. Një person që nuk arrin ta kuptojë mësimin ekzoterik të Ibn ‘Arabi dhe rrjedhimisht islamin, duhet të qëndrojë në heshtje në vend që të sulmojë ata që e kuptojnë.
Kjo fetvaja e Shaykh al-Islam u deklarua për publikun intelektual të osmanëve – sulltanët, dijetarët dhe sufistët – në lidhje me Ibn ‘Arabi në veçanti dhe sufizmin dhe islamin në përgjithësi. Ka vazhduar të qëndrojë në fuqi që nga themelimi i shtetit, që u ruajt në tokat turke deri në ditët e sotme, pasi kishte kaluar disa momente kritike në mes të shekulit XVI. Kështu, u deklaruan dy aspektet e besimit islam zyrtarisht, në personalitetin shpirtëror dhe shkencor të Ibn ‘Arabi.
Autori i mirënjohur i sufizmit të shekullit XVI, al-Sha’rani, shkroi tek Tabaqat al-Kubra, në shënimet që i dedikonte Ibn ‘Arabit, se ishte shumë i mirënjohur në Anadoll në atë kohë pasi kishte përshkruar në disa prej librave të tij atributet e sulltanit, djali i Uthman I dhe pushtimin e Kostandinopojës. Kjo dëshmi e al-Sha’rani tregon gjithashtu edhe interesin për mësimet akbariane në mesin e shekullit XVI.
Jehona e Shajara al-Nu’maniyya duket se ka vazhduar nga shekulli në shekull. Në vitet 1730, pas luftës ndërmjet osmanëve dhe Iranit, një delegacion iranian erdhi në Stamboll për të diskutuar kushtet e paqes. Zëdhënësi në emër të osmanëve e hapi dialogun duke cituar tri karakteristika që lëvdonin osmanët në krahasim me iranianët:
1. Profeti kishte folur për ta në shkrimet e tij, duke parashikuar pushtimin e Kostandinopojës.
2. Parashikimet e Ibn ‘Arabi, Gjuha e së Vërtetës, në lidhje me dinastinë osmane në Shajara al-Nu’maniyya.
3. Territori osman ishte marrë prej tyre përmes luftës së shenjtë, por nuk mund të thuhej e njëjta gjë për dinastinë e Iranit.
Nga ky dokument diplomatik mund të vëzhgojmë se dy shekuj pas shkatërrimit të varrit të Ibn’Arabi, burrat e shtetit dhe osmanët e shkolluar vazhduan adhurimin e tyre për Ibn’Arabi dhe e konsideronin veten të veçantë për shkak të parashikimeve akbariane që kishin të bënin me ta. Në tekst nënkuptohet gjithashtu se Ibn ‘Arabi u njoh si autoritet ndërmjet iranianëve në atë kohë.
Pas këtyre vlerësimeve të përgjithshme, mund të vazhdojmë shkurtimisht me listën e emrave të sufistëve që vazhduan mësimet akbariane në Anadoll dhe Ballkan për shekuj me radhë. Siç dihet dhe siç përmendëm më lart, gjatë endjeve në Anadoll, Ibn ‘Arabi takoi shumë njerëz dhe disiplina sufiste. Ai u kujdes për edukimin, që në foshnjëri, të dishepullit Sadral-Din al-Qunawi. Në fund, vetëm përmes al-Qunawi dhe dishepujve të tij, Ibn ‘Arabi arriti më në fund të marrë vendin e tij në jetën intelektuale shumë shekuj më pas. Punët e al-Qunawi kanë qenë në njëfarë mënyre një prezantim dhe komentare për doktrinën e Ibn ‘Arabi, të shprehur në Fusus dhe Futuhat.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s