Basha, o me mburojë, o mbi mburojë!

Basha, o me mburojë, o mbi mburojë!

Nga Arjan Çuri /

Në Spartën e lashtë, kur nënat nisnin bijtë e tyre si ushtarë në beteja luftarake, zakoni i qytetit legjendar, donte që para se t’i përcillnin, t’iu dorëzonin atyre mburojën, duke iu uruar: “O me mburojë, o mbi mburojë (I tan i epi tas)”. Kjo do të thoshte që prej djemve spartanë, pritej që ose të ktheheshin nga lufta si fitimtarë, pra duke e mbajtur në dorë mburojën e tyre, ose të vdekur, duke u transportuar mbi mburojën e tyre, që ishte aq e madhe, saqë shërbente edhe si vig mortor, për të rënët në betejë.

Këtë realitet spartan, të pazgjidhshëm dhe të pamëshirshëm, duket se ka zgjedhur të ndjekë si strategji politike, lideri i opozitës, Lulëzim Basha. Me fillimin e protestës që nuk dihej se kur do të mbaronte dhe me instalimin e çadrës, e cila e nxori praktikisht opozitën dhe popullin opozitar në rrugë, tashmë duket se as Basha vetë nuk e ka në dorë dhe as që e di fatin e tij apo fundin e kësaj historie. Në këtë pikë, ku kanë ardhur gjërat, janë rrethanat që e kondicionojnë përfundimin e tij dhe të partisë që ai drejton.

Kështu, Partia Demokratike, gjendet në një momentum politik të paprecedent dhe unik në historinë e saj, i dyti për nga rëndësia e fenomeneve që ajo di të prodhojë, në jetën politike shqiptare. I pari ishte rrëzimi i monopartitizmit dhe totalitarizmit në Shqipëri, duke e paraqitur veten e saj, si alternativë ideologjike opozitare e djathtë. Ndërsa i dyti, është ky moment, kur për arsyet që tashmë ajo i ka paraqitur, shpall se i heq vetes, mundësinë e përfaqësimit elektoral të një alternative politike opozitare.

Tashmë, Shqipëria kthehet në një realitet të frikshëm monist, pasi nëse krijohet kjo situatë, këto zgjedhje do të prodhojnë veç një realitet tragjikomik të partive të majta që konkurrojnë mes tyre. Këtë gjë, ato kanë filluar ta bëjnë edhe në bashkëqeverisje, si strategji për të shpëtuar nga faji, të cilin ia hedhin njëra-tjetrës, duke premtuar paradoksalisht madje, edhe vijimin e koalicionit. Por me këtë nonsens alogjik dhe atipik, do të merremi në shkrimet e ardhshme.

Në këtë pikë, ku kanë arritur gjërat, mund të ngremë pyetjen: “Çfarë mund të negociohet me opozitën?”. Nga mazhoranca vijnë sinjalet: “Gjithçka, përveç qeverisë teknike”. Nga çadra vjen përgjigja: “Asgjë, përveç qeverisë teknike”. Prandaj, mendojmë se gjërat kanë arritur në një pikë kyçe vlimi, ku nuk mban më dhe nuk ka sens, lënia për një kohë të gjatë në këtë gjendje, pasi mund të vijë momenti, dhe personalisht mendoj se ka ardhur, që rrethanat nuk do të mund t’i kontrollojë dot më askush.

Nisur nga paraqitja e fakteve, disa konkluzione janë shumë të thjeshta për t’u arritur, dhe nuk ia vlen të humbasim më kohë duke prodhuar diskurs politik, që veçse sa djeg kohë të vlefshme, që mund të përdorej për ta zgjidhur problemin.

Së pari, Basha, nuk ka rrugë tjetër veçse t’i qëndrojë deklaratave të tij deri në fund, kështu që hamendësimi i ndonjërit për të kundërtën është i pabazë. Tërheqja nga qëndrimi i tij, do ta nxirrte të dobët në sytë e elektoratit të tij, por edhe të shqiptarëve, që për hir të së vërtetës, dukej se deri tani, nuk e merrnin dhe aq seriozisht kërcënimin e tij për bojkot të zgjedhjeve. Në këtë logjikë, thirrjet e ndërkombëtarëve për heqje dorë nga bojkoti, apo edhe kërcënimi për izolim, nuk i bëjnë asnjë përshtypje Bashës, ndaj ai i quan ato broçkulla, pasi kthimi mbrapa, sjell pasoja fatale për të.

Basha e ka realizuar qitjen, dhe shumë nuk e kanë kuptuar akoma këtë fakt, ndaj më kot e këshillojnë të tërhiqet, pasi ai as që nuk mundet më ta bëjë, këtu ku kanë ardhur gjërat. Ajo që mbetet, është të shohim çfarë do të bëjë predha gjatë trajektores së saj. Pra, e thënë më thjesht, nëse ai mbështetet në këtë bojkot nga populli opozitar, që përbën edhe në rastin më të dobët, 1/3 e shqiptarëve, parlamenti që do të prodhojnë zgjedhjet, mund të jetë i ligjshëm, por jo legjitim. Kjo përveçse i mërzitshëm dhe i pajetë, pasi aty nuk do të jetë e përfaqësuar elektorati i djathtë shqiptar, prandaj de facto, do të kemi një parlament monist dhe majtist.

Populli opozitar, mundet gjithashtu që t’i bllokojë, siç gjithashtu deklaron Basha, me metoda të mosbindjes civile, zgjedhjet, dhe nëse e bën masivisht këtë gjë, policia nuk mundet të shoqërojë apo të arrestojë me qindra e mijëra njerëz, ditën e zgjedhjeve. Ndaj edhe ky është një skenar që duhet marrë mirë parasysh, pasi nuk është se këto gjëra nuk janë parë në të kaluarën në Shqipëri, sa herë që një kah i politikës, braktis institucionet dhe del në rrugë. Nëse Basha, është i sigurt për këtë skenar, atëherë ai do të kthehet nga beteja, duke e mbajtur në dorë mburojën e tij, së bashku edhe me stofën e duhur të një kryeministri.

Së dyti, ekziston mundësia, që populli opozitar të mos e ndjekë lidershipin e tij në bojkot, dhe të dalë masivisht në zgjedhje, duke emëruar një të djathtë apo një opozitë të re. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike arrin në pikën e vdekjes dhe Basha kthehet nga lufta, i shtrirë mbi mburojën e tij. Edhe pse funksioni logjik disjuktiv, më detyron ta përmend si mundësi, personalisht nuk e besoj që kjo gjë mund të ndodhë, pasi ndjekësit e tij, nuk do të preferonin në asnjë rast ta ngrinin “trupin e Bashës mbi mburojë”, pasi e kanë të lidhur fatin e tyre pazgjidhshmërisht me të.

Së treti, duke u ngritur në lartësinë e rrethanave historike, Kryeministri Rama i del plumbit përpara me trup, i cili përveçse mund ta plagosë atë lehtë, pra duke i shkurtuar mandatin me dy muaj, nuk mund t’i bëjë asnjë dëm tjetër. Por Rama ka edhe justifikimin e drejtë që ka marrë mandat për të qeverisur, por ky argument është më i dobët para faktit, që edhe pse i votuar nga 1 milion, duhet të udhëheqë dhe ka përgjegjësi mbi fatin dhe sigurinë e 3 milionë e ca shqiptarëve. Kështu Rama i jep rrugëdaljen Bashës, e detyron atë të votojë Vettingun dhe të hyjë në zgjedhje, të cilat me shumë mundësi, i japin atij një mandat të dytë, nëse e ruan sigurisht aleancën me Metën. Interesi madhor i Shqipërisë do ta nxirrte atë po aq madhështor si lider, fuqia e të cilit përsoset në tolerancë.

Së katërti, dhe e fundit, predhën e dalë nga tyta e çadrës së Bashës, zgjedh ta ndalojë Meta, duke i dalë ai plumbit përpara, dhe kështu do të kishte shansin që t’ia rrëmbente protagonizmin heroik Ramës. Kjo do të sillte daljen e tij nga koalicioni qeveritar, rrëzimin e qeverisë dhe hyrjen si forcë më vete në zgjedhje, duke prodhuar “mandate të arta”, të cilat mund t’i përdorë në parlamentin e ri si të dojë e pa i dhënë llogari askujt.

Basha ka zgjedhur të bëhet lider, strategjia e tij, do ta kthejë atë ose fitimtar ose do ta zhbëjë përfundimisht, ai ose do të kthehet me mburojë, ose mbi mburojë. Sido që të shkojnë gjërat, ai tashmë ka prodhuar histori, duke tërhequr edhe detyruar në vendime historike edhe të majtën dykrenare shqiptare. Partia Demokratike e cila e lindi pluralizmin në Shqipëri, po tregon se akoma ka forcë dhe zotërim absolut mbi të, duke e përdorur tashmë si predhë apo armë atomike, kur ia lyp nevoja. Ndaj e vetmja zgjidhje është që të mos lejohet në asnjë mënyrë që kjo armë të shpërthejë. Edhe pse e lëshuar, ajo akoma mund të çaktivizohet në ajër. Në të kundërt, pasojat nuk do të mund t’i parashikojë dot askush, ato do të ishin vetëm në dorë të rrethanave kaotike

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s