Diplomatët ‘Denizullu Serpe’ perëndimorë në Shqipëri.

Diplomatët 'Denizullu Serpe' perëndimorë në Shqipëri

Është shumë problematike për të ardhmen e krizës politike aktuale në Shqipëri që disa ambasadorë perëndimorë i japin mbështetje regjimit Rama-Meta të cilët së bashku të bëjnë atë që nuk guxoi ta bënte dot as diktatori i fundit komunist në Europë.

Nga Ndriçim Kulla

Afërsisht 100 vjet më parë, Faik Konica, me qëllim që të thumbonte disa bashkatdhetarë të tij diplomatë, të cilët bënin gafa të mëdha, shkruajti një prozë satirike ku Shqipëria paraqitej si një shtet afrikan i quajtur Zulluland dhe diplomatët shqiptarë të kohës përshkruheshin në personazhin e një diplomati të këtij shteti, ambasadori Denizullu Serpe, i cili shkon në kryeqytetet perëndimore ku le nam me budallallëqet e tij. Meqenëse për lexuesin është e njohur kjo prozë e pavdekshme e Konicës, nuk po e përshkruaj më tepër atë. Konica shpresonte që me shkrime të tilla të bënte një lloj katarsisi mbi bashkëkombësit e tij, t’ u jepte atyre një pasqyrë për të parë veten, në mënyrë që të ndreqnin të metat e tyre.

Konicës as që i shkonte ndërmend se rreth një shekull më vonë diplomatët e llojit “Denizullu Serpe” do të vinin në Shqipëri nga Perëndimi, si përfaqësues të shteteve të mëdha perëndimore. I tillë është z. Bernd Borchardt, i cili ka nja 20 vjet që vjen rrotull sa nga Kosova në Shqipëri, herë si ambasador i Gjermanisë, herë i OSBE-së, herë i EULEX-it, e kushedi se çfarë tjetër. Këtë z. Borchard, deri disa vite më parë, e kishim në Shqipëri për disa vjet si ambasador të Gjermanisë. Tani vonë na u kthye në Tiranë si ambasador i OSBE-së.

Z. Borchardt ditët e fundit na çuditi me një “perlë” të llojit “Denizullu Serpe” kur tha se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet e qershorit do të jetë vetëm një rresht në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.

Duke patur parasysh standardin demokratik dhe pluralisht që kërkon në të vërtetë Gjermania dhe Europa me siguri,që elitat në Gjermani, por dhe mediat aty madje në çdo vend tjetër europian, po qe se do kishin një pasqyrë të vërtet të kushteve zgjedhore të realitetit akual shqiptarë dhe atë çfarë kërkon opozita, jo vetëm do ishin çuditur me këtë qëndrim, por do reagonin me ashpërsi.

Ambasadori Borchardt përfaqëson një organizatë ndërkombëtare (OSBE-në) e cila ka 57 shtete anëtarë në nja pesëmbëdhjetë prej të cilëve opozita është realisht inekzistente është një fasadë. Shumica e këtyre shteteve janë në ish-Bashkimin Sovjetik, por jo vetëm atje. Në një vend të tillë është shndërruar kohët e fundit Turqia. Madje ka shqetësime se në këtë rrugë po hynë edhe vende europiane që mendohej se ishin demokraci të konsoliduara. Të deklarojë një përfaqësues i lartë i OSBE, siç është një ambasador i kësaj organizate në një shtet, se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje është një gjë aq e parëndësishme sa mund ta kalohet si fenomen vetëm me një rresht në një raport voluminoz, kjo është pikërisht ajo gjë që duan të dëgjojnë sundimtarët e regjimeve autoritare. Meqenëse OSBE e paska ulur kaq shumë standardin në një vend të NATO-s si Shqipëria, do të thonë ata, atëherë ne po e dëbojmë edhe këtë opozitë të rreme që kemi toleruar.

Opozita shqiptare nuk merr pjesë në zgjedhje sepse ka një problem të madh. Këto zgjedhje me drogën e pa administrueshme nga toka ,nga qielli dhe nga ajri do të jenë fiktive si në Rusi, Bjellorusi dhe në republikat ish-sovjetike aziatike. Vetë ambasadori Borchardt pak kohë më parë e bëri të qartë se si do të ishin këto zgjedhje kur deklaroi në një intervistë televizive se nga trafiku i drogës në Shqipëri qarkullonin dy miliardë euro që do të përdoreshin në zgjedhje për të blerë deputetë. Të nesërmen, z. Borchardt, na doli në një pozitë qesharake në krah të Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, në atë kohë ishte akoma në detyrë, dhe e përgënjeshtroi vetveten duke thënë se e kishte patur fjalën për vitin 2013.

Ne e pamë dhe dëgjuam z. Borchardt në këtë intervistë të flasë në anglisht, dhe anglishtja e tij është perfekte. Nuk është si anglishtja e Denizullu Serpes plot gabime gramatike dhe me ngatërrime të kohëve të foljeve, që kur flet për të ardhmen, ka në mendje të shkuarën. Nuk është në nderin e këtij ambasadori që e lejon veten të përdoret si Denizullu Serpe, personazhi humoristik i Konicës.

Një tjetër personazh i llojit “Denizullu Serpe” është bërë edhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, zonja Romana Vlahutin. Ajo do të mbahet mend në Shqipëri që kur u ndërtua bunkeri te sheshi i Ministrisë së Brendshme dhe opozita organizoi protesta kundër ngritjes së këtij simboli të diktaturës së kuqe, zonja Vlahutin i lyen flokët e saj me një ngjyrë të kuqe të ndezur, si të donte të shprehte solidaritetin e saj me kauzën e bunkerit. Zonja Vlahutin tani e ka bërë kauzë të saj zhdukjen e partisë më të madhe të opozitës shqiptare nga skena politike, duke u zëvendësuar në parlament me një opozitë të rreme. Është për të ardhur keq që kjo zonjë vjen nga një vend ish-komunist dhe me moshën që ka, e njeh se c’ është partia-shtet, pavarësisht se në variantin e butë dhe liberal të Jugosllavisë titiste.

Një diplomat i llojit “Denizullu Serpe” është bërë fatkeqësisht edhe ambasadori amerikan në Tiranë, z. Donald Lu. Kjo është për të ardhur veçanërisht keq se ky zotëri ka si paraardhës të tij një plejadë ambasadorësh të vendit të tij të madh në Shqipëri, që janë bërë pjesë e historisë sonë me një kontribut të madh në ndërtimin e institucioneve dhe ndërtimin e demokracisë. Dhe jo vetëm që nga viti 1991, kur u rivendosën marrëdhëniet, por edhe shumë kohë më parë, që në vitet ’20 që unë i kam pasqyruar me korrektësi, nderim dhe respekt në librin tim botuar kohët e fundit “Marrëdhëniet Shqiptaro- Amerikane”.

Z. Lu ka dalë me tezën se zgjedhjet edhe pa pjesëmarrjen e opozitës janë të ligjshme dhe legjitime. Z. Lu e ka shumë gabim nga ana juridike dhe mënyra sesi flet tregon se nuk e ka lexuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Neni 3 i Kushtetutës, i cili sanksionon bazat e shtetit, përmend si një nga këto edhe pluralizmin, që është detyrim kushtetues të mbrohet dhe të respektohet. Zgjedhje pa opozitë, ose më saktë pa partinë më të madhe të opozitës, atë që ka pjesën dërmuese të deputetëve të opozitës, do të thotë që këto zgjedhje nuk janë realisht pluraliste, por ka një pluralizëm të rremë.

Teza se zgjedhjet janë të ligjshme dhe legjitime edhe pa opozitën është një tezë e vjetër dhe e konsumuar në Shqipëri. E thoshin njerëzit e Ramiz Alisë, kur opozita e lindur nga lëvizja e dhjetorit 1990 kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve të caktuara për më 10 shkurt 1991, sepse donte kohën e nevojshme për t’ u përgatitur. Atëherë njerëzit e regjimit thoshin se zgjedhjet janë të ligjshme edhe pa opozitën, sepse ajo nuk merr pjesë me dëshirën e saj. Ramiz Alia nuk guxoi të bëjë zgjedhje pa opozitën në 10 shkurt 1991, por i shtyu ato për më 31 mars.

Është shumë problematike për të ardhmen e krizës politike aktuale në Shqipëri që disa ambasadorë perëndimorë i japin mbështetje regjimit Rama-Meta të cilët së bashku të bëjnë atë që nuk guxoi ta bënte dot as diktatori i fundit komunist në Europë

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s