Asgjësimi i dosjeve, dy ditë para rrëzimit të shtatores së Enverit.

Tre urdhra njëri pas tjetrit janë dhënë në vitet 1990- 1991 për asgjësimin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Në një kohë kur flitet aq shumë për hapjen e dosjeve, një proces që tashmë pritet të nisë me hapjen e dosjes së shkrimtares dhe politikanes Musine Kokalari, dalin fakte pas faktesh se çështja e dosjeve është vetëm një mit dhe se ato më kryesoret janë asgjësuar.

Çfarë mund të ketë mbetur, me gjasë është fare e parëndësishme. Ishdrejtori i arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, ka publikuar së fundmi urdhrat për asgjësimin e dosjeve të caktuara, mes të cilave ato për ndjekjen dhe vëzhgimin e anëtareve apo kandidatëve të Byrosë Politike, për të vijuar me ushtarakët, por edhe bashkëpunë- torë. Publikimi më i fundit është ai i urdhrit të tretë, që daton më 18 shkurt 1991, vetëm dy ditë përpara rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës.

Nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës
Nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës

1991/URDHRI I TRETË PËR ASGJËSIMIN E DOKUMENTEVE TË SIGURIMIT

Më 18.2.1991, dy ditë para se të rrëzohej monumenti i diktatorit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme u përgatit urdhri tjetër për asgjësimin e dokumenteve kryesore të kartotekave të degëve të Punëve të Brendshme, të atyre që kishte Dega e 4- t e Drejtorisë së Parë, Drejtoria e Dytë, si dhe sektorët e tjerë operativë. Ky ishte urdhri i tretë që vinte pas urdhrave të datave 2.7.1990 dhe 15.12.1990.

Urdhri në fjalë u konceptua të kishte jo vetëm karakter shkatërrues për dosjet në fjalë, por edhe të ndryshonte në disa pjesë të saj Rregulloren e Evidencës Operative. Ky urdhër përbëhej prej 12 pikash. Ai ligjëronte asgjësimin e të gjitha dosjeve në ngarkim të personave që ishin ndjekur për agjitacion e propagandë, tendencë për arratisje, etj., ndërsa linte për ruajtje dosjet e personave të ndjekur për spiunazh. Por nisur nga fakti se edhe këto lloj dosjesh ishin të përziera me “agjitacion”, edhe ato i nënshtroheshin asgjësimit.

Te grupi i dosjeve të bashkëpunëtorëve, theksi vihej se mund të ruheshin ato të agjentëve dhe informatorëve të spikatur që kishin dhënë informacion të larmishëm. Por edhe ky grup dosjesh, i lënë nën gjykimin e opinionit të administratorëve të tyre, pësoi një asgjësim të madh.

Një krim i vërtetë ishte shkatërrimi i Degës së 4-t, e cila ishte udhëheqësja nga pikëpamja administrative dhe dokumentare e gjithë kartotekave që ndodheshin në degët e Punëve të Brendshme. Në atë kohë, në këtë degë administrohej edhe informacioni për elementin kriminal. Dega e 4-t ishte hallka e ndërmjetme midis degëve dhe Arkivit të MPB-së, duke kryer një funksion jo shumë të njohur për njerëzinë e atëhershme dhe sigurisht për të sotmen.

TAKIMI I RAMIZ ALISË ME HEKURAN ISAIN, MË 22.9.1990

Në vitet 1990-1992 janë asgjësuar në degët e Punëve të Brendshme dhe në Degën e 4-t të Drejtorisë së Parë, të gjitha dosjet në ngarkim të personave që ndiqeshin prej organeve të Sigurimit për arsye politike. Faktet që do citohen në vijim, tregojnë se sa i kotë dhe i panevojshëm është roli i Autoritetit “të hapjes së dosjeve”, kur praktikisht shumica e popullsisë së mundshme për t’u interesuar, nuk ka dosje dhe sa pa kuptim është thënë në gjithë këto vite shprehja “kur të hapen dosjet”. Procesi i zhdukjes së provave nisi në korrik të vitit 1990, pikërisht në kohën kur regjimi e kuptoi se nuk do ta shtynte shumë gjatë. Fakti i asgjësimit të këtyre dosjeve është tashmë shumë i njohur dhe sigurisht, nuk jam unë personi parë i përmendjes së kësaj të vërtete.

Fillimisht ka bërë disa shkrime në shtypin e kohës në vitet 1991-1992, ish-kryetari i Degës së Arkivit të MPB-së dhe ishkryetar i Degës së 4-t, z. Enver Goxhaj. Denoncimin e dytë, me një renditje kronologjike të urdhrave të asaj kohe e ka bërë prej kohësh publike ish-kryeministri, z. Aleksandër Meksi, dhe çdokush mund ta gjejë në internet këtë material. Referimet janë të sakta. Me këto veprime, regjimi mbrojti praktikisht trupën e persekutorëve, pra ruajti oficerët e Sigurimit të Shtetit nga implikimet e tyre. Në fillim janë pastruar dosjet e ndjekjes së anëtarëve e kandidatëve të Partisë së Punës, sepse këtë pjesë, kjo parti e konsideronte të veten. Në masë jo të vogël, shumë prej tyre, sidomos në ushtri, ndiqeshin për veprimtari armiqësore.

Faksimile e urdhërit të III për asgjësimin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit
Faksimile e urdhërit të III për
asgjësimin e dosjeve të Sigurimit
të Shtetit

Asgjësimi i dokumenteve në favor të tyre, ruante këtë kontingjent në pozita besnikërie ndaj Partisë së Punës. Për këtë arsye, e para kategori e përzgjedhur për t’i hequr dokumentet, ishte brenda radhëve të Partisë. Me urdhrin nr.277 dhe 278, datë 2.7.1990, MPB njoftonte organet e varësisë, si vijon: “Lidhur me përpunimet anëtarë e kandidatë partie dhe materialet në ruajtje të tyre, nga ana juaj të veprohet në këtë mënyrë: Hapni udhëzimet që ju kemi dërguar dhe në bazë të tyre të trajtohen përpunimet anëtar e kandidat partie, si dhe materialet në ruajtje nga ana juaj. Ndryshimi qëndron vetëm në atë që për këto raste do të gjykohen nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit dhe në Ushtri nga sekretari i Komitetit të Partisë së Njësisë, barabartë me të.

Materialet në ruajtje do të jenë kryesisht që bëhet fjalë për spiunazh dhe organizim, kudo që ato janë ruajtur, thjesht për agjitacion e propagandë, që në ligjin e ri nuk konsiderohen më si krim, të asgjësohen menjëherë. Asgjësimi të bëhet në bazë të rregulloreve. Kjo punë të përfundojë brenda 15 korrikut”.

Pak kohë pas nisjes së aksionit të madh të asgjësimit, më 22.9.1990, Ramiz Alia priti zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isain. Në këtë bisedë u fol për zhvillimet e përditshme, ndërsa nuk kishte një plan të përcaktuar për rendin e ditës, sepse është vënë një titull i përgjithshëm në këtë mënyrë: “Organet shtetërore në fushën e tyre duhet t’i plotësojnë me akte ligjore vendimet e Partisë”. Ndër të tjera, Hekuran Isai thotë:

“Unë i kuptova të gjitha idetë që shtruat në takimin me kuadrot e Ministrisë së Brendshme. Ç’është e vërteta, kuadrot tanë kishin një çoroditje të plotë, por porositë tuaja, që përbëjnë një ndihmë kolosale për ne, i sqaruan. Në atë kohë kishte ndër ta që mendonin se më mirë të mos kishte Ministri të Brendshme, sesa ta kishim në atë gjendje që u krijua, duke i asgjësuar të gjitha dosjet, duket sikur ajo qe hequr mënjanë. Ishte kuptuar keq demokratizimi”.

1990/URDHRI I DYTË PËR ASGJËSIMIN E DOSJEVE TË SIGURIMIT

Pas urdhrit të datës 2 korrik 1990, në të cilin urdhërohej asgjësimi i dokumenteve të kartotekave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për anëtarët apo kandidatët e PPSH-së, vjen ai i dhjetorit 1990. Vetëm disa orë pasi ishte miratuar ideja e pluralizmit politik, organet e MPB-së urdhëruan nisjen e procesit të asgjësimit të shpejtë të dosjeve ndaj personave që ndiqeshin dhe dosjeve të bashkëpunëtorëve. Në urdhrin nr.615, datë 15.12.1990, të ministrit të Punëve të Brendshme, drejtuar organeve vendore dhe qendrore, thuhej:

“Të asgjësohen pa pritur përfaqësuesin e Ministrisë, të gjitha dosjet e bashkëpunë- torëve, të përpunimeve, e dosjet e tjera që janë veçuar, librat e evidencës së punëtorëve operativë, të hequra nga përdorimi dhe dokumentet e përkohshme të veçuara për asgjësim të shkallës: sekret, A.res.personal dhe SRV (janë nivele klasifikimishënim). Dosjet hetimore-gjyqësore të dërgohen në Arkiv, përfshi edhe ato që nuk kanë plotësuar afatin pesëvjeçar (por jo dosjet hetimore për zbulim autori). Veprimet të kryhen menjëherë. Këto janë veprime normale dhe bëhen sipas kërkesës suaj, pra nuk lidhen me situatën”.

Për sqarim, fjala “përpunim” do të thotë ndjekje personi. Librat e evidencës kanë qenë me kapak të verdhë dhe mbaheshin nga punëtorët operativë. Në to regjistroheshin të dhënat për bashkëpunëtorët dhe personat që ndiqeshin me dosje prej tyre.

KASTRIOT DERVISH

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s