Ëngjëll Musai: Kënga apo kuja e “Rilindjes”

Shqipëria atdheu ynë i dashur është ndoshta vendi i vetëm në Evropë që nuk po del dot nga tranzicioni politik, social, ekonomik , kulturor , shoqëror etj.

Kemi 27 vjet që përpëlitemi , që dëgjojmë premtime nga politikanët, që na premtohet luga e florinjtë para fushatave dhe pasi marrin votat harrojnë ato çka kanë premtuar, mbyllin telefonat, ndërrojnë zonat elektorale dhe gjithçka kalon në heshtje, duke mos u skuqur dhe zverdhur për premtimet, të cilat pa diskutim quhen mashtrim.

Shumë më herët Sami Frashëri, Faik Konica dhe ditët e fundit z. Meta deklaroi se, “Shqipëria nuk mund të bëhet turpi i Evropës”. E pra kjo politikë dhe këta politikanë po na kthejnë Shqipërinë në turpin e kontinentit dhe po i bëjnë një dëm të pallogaritshëm, jo vetëm Shqipërisë, por mbarë Kombit Shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, pse jo edhe çështjes Çame, e cila pret zgjidhje. Mjafton të përmendim faktin që një kryeministër i Evropës Qendrore deklaroi para pak kohësh në mënyrë intime por që u regjistrua nga mediat “se jo të gjitha premtimet elektorale do mbahen”, dhe kaq duhej që protestat ta detyronin të jepte dorëheqje.

Po tek ne ç’po ndodh me premtimet elektorale?!
U harruan dhe fatkeqësisht dhe Kryeministri ynë që ka marrë përgjegjësinë të na qeverisë merret me facebook dhe angazhohet në biseda me lloj-lloj njerëzish, në vend që të shikojë punët e qeverisë dhe të vendit.

Flet për bashkimin kombëtar, ndërkohë që shtëpia po i digjet nën këmbë. Rregulli dhe logjika e kërkon që gjithkush që kërkon të merret me punët e të tjerëve apo siç e përdorim rëndomë të komshiut duhet që në radhë të parë të zgjidhë punët e veta, pastaj të flasë për punët e mëdha siç është edhe ajo e bashkimit kombëtar. Dhe bashkimi kombëtar vjen me forcimin e ekonomisë, buxhetit dhe kthimin e vitalitetit tek njerëzit brenda kombit amë dhe jo me deklarata shantazhuese ndaj Evropës. Me këtë taktikë veprojnë diktatorët, të cilët trillojnë gjithmonë një rrezik të ri, për të justifikuar ekzistencën e tyre, sidomos kur gjenden para zgjedhjeve dhe pakënaqësive popullore. E pra këta politikanë nuk mund të quhen udhëheqës, sepse politika kudo në botë: udhëheq nuk sundon, shërben e nuk rrëmben, kudo ndërton, frymëzon e nuk rrënon… E pra, vetvetiu lind pyetja: A janë këta shpëtimtarët e kombit?!

Himni i Rilindjes
Arsyeja pse vendosa të hedh disa fjalë në këtë shkrim modest ku sigurisht pranohen edhe mendime të kundërta, ka të bëjë më faktin, se partia që drejton vendin shpalli një konkurs për këngën himn të fushatës së 18 Qershorit. Më duhet të them përpara se të bëj analizën, se kërkesa për dorëheqje të kryeministrit para zgjedhjeve, kushdo qoftë, duket disi e tepruar, por duke parë situatën ku kemi ardhur, kërkohet më shumë qetësi dhe më shumë tolerancë, pasi edhe situata e krimit dhe sidomos paratë e trafikut të drogës krijojnë një pasiguri tek pala tjetër apo tek palët, të cilat kërkojnë zgjedhje të gjithë pranuara dhe jo thellim të kaosit, pasigurisë, krizës ekonomike, papunësisë dhe emigrimit masiv. Ndoshta himni do të kishte vlerë kur partitë politike duhej dhe duhet të japin llogari pikësëpari për ato çka u premtuan shqiptarëve në zgjedhjet e 2013. Në këngën “Ne kemi lindur për të fluturuar” të kompozitorit David Guetta dhe të kënduar nga Lara Larson , thuhet se : “Ne kemi lindur për të fluturuar pra, le të vazhdojmë të jetojmë, derisa e gjitha kjo të bjerë poshtë, Le t’i mbyllim sytë dhe le të lëmë momentin të na udhëheqë në të gjithë botën, Ne jemi në këtë së bashku, Dëgjoni zemrat tona, Duke rrahur së bashku “ .

Dhe natyrshëm logjika bën krahasimin, se ku jemi ne me këto vargje dhe sa të sinqerta tingëllojnë këto në veshët, në mendjen, në zemrën dhe në shpirtin e shqiptarëve. Ti mund të fluturosh ashtu sikurse fluturon Shqiponja, madje shumë lart dhe më lart se çdo shpend tjetër, por nuk duhet harruar, se në fund të fundit, edhe Shqiponja folenë e ngre në tokë dhe vezët dhe zogjtë i strehon në tokë,. Ku janë zogjtë e shqipes? Ku janë shqiptarët? Jo pak por rreth 300 mijë kanë marrë arratinë nëpër botë, vetëm në këtë mandat të qeverisë së Rilindjes, ndërkohë që u premtuan 300 mijë vende pune.…Ja pra, se ne nuk jemi më shqiponja dhe ky himn nuk është i Shqiponjës dykrenare por i korbit që degdis zogjtë e vet në mënyrë që të mbijetojë vetë. Ja pra që nuk jemi bashkë dhe nuk sakrifikojmë si shqiponja. Ne nuk po fluturojmë lart, por jemi poshtë edhe më poshtë drejt greminës dhe kjo është fatkeqësi për këtë popull, vuajtjet e të cilit dhe lotët e kurbetit nuk qenka e thënë të thahen. Nënat dhe baballarët, gratë dhe fëmijët janë me brengë dhe një pjesë e mirë e tyre kthehen në Shqipëri kur kanë sebepe të forta apo fatkeqësi të rënda. Shqiptarët janë pa punë, por shqiptarët duhet të paguajnë për një vend pune, shqiptarët robtohen për një të drejtë studimi dhe me para aq sa një pjesë e studentëve nuk kanë mundësi ta përballojnë dhe shesin edhe veten apo merren me trafiqe, ndërsa fëmijët e politikanëve, deputetëve dhe shtetarëve janë për studime jashtë shtetit. Ku është premtimi për shkolla publike dhe mbylljen e fabrikave të diplomave? Ja këto duhej të ishin pjesë e vargjeve të himnit. U premtuan shëndetësi model, por Check-up, analizat e laboratorit, pajisjet kirurgjikale i mori privati. Në spitale vdes nëse nuk paguan nën dorë. Por këtë gjë nuk e ndjejnë politikanët dhe familjet e tyre, sepse ata kurohen jashtë shtetit dhe në spitale luksi. Ja pra këto spitale janë këngë për Rilindjen e Ramës, por janë kujë për shqiptarët. U premtua se do hiqeshin lojërat e bixhozit, madje u bë edhe një super aksion në fillim të qeverisjes duke e quajtur “Fundi i marrëzisë” . Pa më thoni a u mbyllë ndonjë apo u shtuan më shumë. Ja edhe kjo është kujë, se këngën e këndojnë ata që i morën për 30 vjet me koncesion nga Rilindja. Po koncesionet e naftës me, minierave, tokave në bregdet, doganave, regjistrimit dhe kolaudimit të makinave, lotarisë kombëtare, dializës pse nuk u mor qeveria që e kishte premtuar se do i shkatërronte monopolet?! Sigurisht që i pëlqeu kënga, se kujën e vënë shqiptarët dhe drejtuesit e mjeteve. Dhe fatkeqësisht pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-s erdhën zgjedhjet lokale të 2015-s dhe kryebashkiakët, një pjesë e mirë e së cilëve dorëzuan mandatin e deputetëve i bënë edhe parkimet me para, duke ua dhënë ortakëve të politikaneve pavarësisht se automjetet e paguajnë taksat dhe çmimi i karburantit është më i shtrenjtë në Evropë. Po kioskat e reja që mbushën qytetet duke u hequr edhe copën e bukës hallexhinjve që punonin nga mëngjesi në darkë? Dhe kjo është, jo këngë, por kujë dhe kujë me lot. E mbani mënd super premtimin për Legalizime falas dhe premtimin se nuk do bëhemi si “Shaban tapia”? Jo falas që nuk u bënë, por me para që të rrjepin nga roja deri tek agai i Aluiznit. Madje nuk lanë televizion pa pushtuar dhe poshtëruar duke na kujtuar shprehjen e famshme “Dhe ne qeshnim me shakatë e kripura të Duçes”. Paradoksi është se Rilindja mashtroi edhe njerëzit e zotit kur del me tapi në dorë dhe mbledh klerikët. Sa turp për njerëzit e zotit që nuk ndihen para kësaj hipokrizie. E pra drejtorët e Aluiznit vunë miliona, qeshin e këndojnë dhe u vunë të kandidojnë për deputetë , ndërsa tritoli dhe shkatërrimet hapën kujën e hallexhinjve. Babai i tre fëmijëve u fut në burg, se bëri një lidhje të paligjshme në shtëpinë e vet pasi fëmijët nuk kishin dritë të lexonin dhe fëmijët bashkë me të ëmën shkojnë të takojnë babanë në burg dhe humbasin jetën në rrugët e Rrogozhinës, falë edhe makutërisë së Xhikës dhe Haxhinastos, ndërsa nga ana tjetër Rilindja e Ramës i fali CEZ-it plot 600 milionë euro. Ja kjo është kujë, por kënga nuk e lë Ramën ta dëgjojë këtë kujë. Çfarë u bë me pensionet e pensionistëve dhe rritjen qesharake prej 4 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që zyrtarëve u rritet deri në 100 mijë lekë. Turp dhe faqja e zezë për të gjithë ata që paturpësisht nuk ndjejnë sado pak dhimbje prindërore dhe respekt për moshën e tretë. Më mbeti në mëndje biseda me një veteran i cili deklaroi se po i kërkojmë qeverisë që të mos na japë pension, asnjë qindarkë dhe t’i mbajë vetë duke na ushqyer, të paguajë dritat, ujin, ilaçet, spitalet dhe nevojat jetike që kemi. Ja pra që edhe kjo situatë nuk meriton këngë …Po ushtarakët, pse u harruan dhe ende është në fuqi akti normativ famëkeq i Bodes dhe Berishës. Ku është SHQUP-i që do kthehej, po spitali ushtarak që do përzinte turkun e veshur si amerikan, po pushimet, po statusi. Kjo nuk meriton këngë, por ulërimë, pasi ushtarakët dhe familjet e tyre sakrifikuan më shumë se kushdo për atdheun dhe mbrojtjen e kufijve. Madje një pjesë e mirë e tyre kanë dhënë jetën duke derdhur gjak. Të gjithë u gëzuan kur ligji dhe shteti treguan forcën në asgjësimin e drogës në Lazarat. Menduam se shteti filloi të funksionojë në çdo cep të territorit, por tani që jemi në fund të mandatit dhe vendi; nga Konispoli në Vermosh vjen era hashash, aq sa jemi bërë tmerri i Evropës në kultivimin e hashashit. Për këtë arsye m’u kujtuan fjalët e pavdekshme të Faik Konicës që tingëllojnë aq aktuale …

Faik Konica :“Bëhuni burra dhe jo palaçot e dheut”
“ Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Hiqni dorë, se do të bëheni lodra e botës. Ta dini se ne,- në sy të Evropës së qytetëruar., jemi negër, dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, po të gjithë na …përbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zini besën raporteve që thonë gjëra të mira ‘për ne, dhe mbase një ditë dalim të “Rritur përpara botës, udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, por me ferra; ai që arrin në kulm, arrin i grisur, i përgjakur, i djersitur, i lodhur; dhe trëndafilat, dafinat, ujët e ftohtë, lëndina ‘ku është mirë dhe ëmbël të shtrihet, të gjitha këto i gjen në kulm vetëm, dhe atje shumë herë as që i gëzon dot, se bie i vdekur nga të lodhurit, po me vetëdijen që i hapi një udhë të re Popullit. Ne, vëllezër, jemi negër të varfër, pa ndonjë rëndësi fare; mos u dehni me moskuptime, mos dëgjoni njerëz të cekët, njerëz aq të paditur sa ju, më të paditur se ju ndofta, të cilët kanë vetëm një guxim barbar dhe të verbër që i shtyn të futen kudo, në mes të talljes së përgjithshme. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën. Dhe Parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Po mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot, sa s’qaj dot. Dhe më në fund, aq di, aq them; Jini të lirë të bëni si të doni”…

Këto janë fjalë shpirti, xhani dhe zemre për politikanët shqiptarë, të cilët, nëse nuk duan ta kuptojnë dhe vlerësojnë, do u shkojë për shtatë shprehja e një tjetër figure botërore si Çurçilli, i cili thoshte se: “ Nëse jeni nisur drejt ferrit, vazhdoni!”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s