Kohë depresive burojnë nga qeverira depresive…

Mos më çani kokën, e më thoni se po bëj politikë. Po ju flas për fqinjët e mi, që nuk i shoh më këtejpari dhe nuk e di se si e mbyllin ditën e tyre pikëllimtare, pasi vetëm ndriçimi i diellit nuk u mjafton të jenë të gëzuar. Ndonjëri prej tyre mbase do të jetë i ulur në ndonjë minimiting që kësaj fushate janë imitime pleqësish, nën diell e në pisk të vapës duke dëgjuar broçkullat të fushatës elektorale.

Flutura Açka

Këto nuk janë fjalët e mia, por m’u kujtuan tek u ktheva në Atdhe shumë muaj më pas. Në rrugicën time, në qendër të Tiranës, nuk i gjeta më fqinjët e mi, që ma bënin familjare vendin:

Bukëpjesësi nuk ishte më, kishte falimentuar
Floktorja nuk ishte më, kishte falimentuar
Shitoja e fruta-perimeve nuk ishte më, kishte falimentuar
Minimarketi im nuk ishte më, kishte falimentuar
Këmbimorja ime nuk ishte më, kishte falimentuar
Shitoja e bojerave nuk ishte më, kishte falimentuar

Ishte shtuar një avokat për çështje administrative (natyrisht më shumë gjyqe ka për shkelje të drejtash se për kriminelë), një tjetër avokat penal, një tjetër avokat që bënte njëherësh zyrë turistike dhe përkthime.
Përballë, megjithëse rrugica është shumë e ngushtë, ishte ngritur thuajse një pallat i ri (i është dhënë leja këtë vit) që ia kishte zënë sytë të gjitha shtëpive të ulëta rrotull. Në krah të ngrehinës sime, pa kurrfarë largësia ishte ngritur (i është dhënë leja para tre vitesh) një tjetër që ka tre vite me themele të hapura e me napat e varura nëpër skela. Pas shpine shumë shpejt do të na e zërë frymën një tjetër pallat, por përkohësisht hekurat e dala të themeleve të tij janë kthyer në landfill i hapur ku kush nuk gjuan plehëra, madje edhe drejt nga katet lart. Fqinjët e mi të afërm po mblidhnin fonde që të suvatojnë faqen e murit që na u zu, sepse për shkak të atij ndërtimi të ngritur pa kurrfarë respekti largësie, kërcënohemi nga lagështia dhe fëmijëve na u rrezikohet jeta.
Kuturisa të bëj një xhiro nga Pazari i Ri, ku veç pastërtisë së lëvdueshme (faleminderit dhe për kaq!), zona m’u duk sikur e kishin zënë menstruacionet prej ngjyrave, siç e gjthë Tirana jonë në përgjithësi, që dizenjohet pa i pyetur njeri banorët e saj. Aty ndesha vetëm kafene kafene kafene kafene dhe njerëz që dergjeshin në tryezat e tyre.

Ngrënësa e pirësa.

Asnjë librari, apo shitore bojërash për piktura, apo kënd të vogël lojërash për fëmijë, apo shitore veglash muzikore, arturinash e sendurinash që nuk të kujtojnë vetëm gojën. Pyes, a ka kush ndonjë lloj tjetër hobi këtu, veç të këqyrë ekranet e mëdhenj nga derdheshin gënjeshtrat që shoqërojnë fushatat zgjedhore?

Dielli jodepresiv më shtyu të vesh fustan e t’i gëzohesha asaj që i ka dhuruar natyra këtij vendi. Por tek mirosesha, m’u kujtua rrugica dhe u përpoqa të përfytyroj fatin e atyre që atë çast ishin pa bukë, sepse kishin ulur qepenët e tregtoreve nga i jepnin kuptim përditës së tyre. Dhe si njeri me një ndjeshmëri minimale, ndërrova mendje. Mos më çani kokën, e më thoni se po bëj politikë. Po ju flas për fqinjët e mi, që nuk i shoh më këtejpari dhe nuk e di se si e mbyllin ditën e tyre pikëllimtare, pasi vetëm ndriçimi i diellit nuk u mjafton të jenë të gëzuar. Ndonjëri prej tyre mbase do të jetë i ulur në ndonjë minimiting që kësaj fushate janë imitime pleqësish, nën diell e në pisk të vapës duke dëgjuar broçkullat të fushatës elektorale.
Ashtu, e trazuar për fatin e fqinjëve të mi, ndërrova pamje, vesha tuta dhe atlete, vura kasketë dhe dola jashtë për fushatë… paramentale.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s