Gjithkush ka faj, vetëm kryeministri në detyrë, Rama, s’paska faj!

Nga Dr. Mine BALLIU*

U deshën katër vjet që Edi Rama të kuptojë se fajin nuk e paska pasur z. Berisha, por dikush tjetër! Në fillimet e mandatit të tij për dy vjet me radhë ngeli duke akuzuar në çdo fjalim ish liderin demokrat, e më pas vitin e tretë të mandatit fajin do t’ia atashonte z. Basha kreut të ri të selisë blu. Vetëm së fundmi ndërsa ka startuar fushata elektorale dhe ka mbaruar mandati i tij katër vjeçar në krye të qeverisë, Rama jo vetëm që nuk e merr mundimin ta drejtojë gishtin e përgjegjësisë nga vetja, por shumë lehtësisht e drejton atë nga aleati i tij kryesor në këtë qeverisje. Sikur ta kishte kuptuar pak më herët Rama këtë gjë ndoshta do kishte dhënë dorëheqjen nga qeverisja, e t’u tregonte shqiptarëve që një qeverisje e tillë me LSI-në aleate nuk mund të funksionojë. Sa kurajo e përgjegjshmëri do duhej për ta bërë këtë gjë, e sigurisht që Rama nuk karakterizohet nga kjo gjë. Ai zgjedh rrugën më të lehtë, qëndron në karrigen e kryeministrit për një mandat të tërë dhe në fund thotë që nuk paska pasur nën kontroll qeverinë, se dikush tjetër paska drejtuar vendin e se Rama paska qënë një pasagjer në taksi (që mesa duket ato shëtitjet me taksi natën nuk paskan qënë edhe aq të rralla, madje paska shëtitur për katër vjet pa pasur mundësi të zbresë).

Aleanca e PD-së dhe LSI-së në vitin 2009 nënkuptonte ndoshta të njëjtën vështirësi në bashkëqeverisje e megjithatë në zgjedhjet e 2013, z. Berisha ish kryeministri i vendit, mori gjithë përgjegjësinë mbi vete para shqiptarëve e nuk hodhi baltë mbi forcat e tjera të aleancës e as u përpoq të justifikonte veten apo qeverinë e tij. Përgjegjshmëria është virtyt dhe këtë gjë nuk mund ta gëzojë gjithkush!

Politika e Ramës duket se është tjetër gjë, arroganca shëmbëllen shumë qartë në çdo dalje publike. Le të lëmë mënjanë arrogancën e pakursyer që përdor ndaj medias, por mjafton të ndjekësh qoftë edhe një takim me qytetarët dhe kupton që ai dëshiron të ketë pranë vetes njerëz që vetëm e duartrokasin e buzëqeshin me pseudobatutat e tij. Në përballjen e parë që mund të hasë me ndonjë qytetar që është pjesë e këtyre takimeve, e duhet kuptuar fakti që më tepër sesa kritika ato vijnë në formë sugjerimesh e lutjesh për ndonjë hall ekonomik e ligjor që mund të kenë, me shpresën se do marrin një përgjigje pozitive e shpresëdhënëse nga kryeminsitri, por të shkretët qytetarë thjesht bëhen objekt batutash e talljeje nga Rama. Sa e trshtë! Kush do donte të ishte në vendin e atyre qytetarëve në ato çaste e të përjetonte ato poshtërime?! Ska asnjë mëdyshje që këto batuta marrin aprovim dhe buzëqeshje nga pjesa e ngushtë që rrethon Ramën sepse ata janë pjesë e administratës, kanë një buxhet që lehtësisht përballojnë nevojat ekonomike të familjeve të tyre, por ata persona që qajnë hallet para kryeministrit e që thumbohen prej tij me tallje nuk kanë mundësi t’a mirëkuptojnë e të buzëqeshin me sarkazmat e tij. I vetmi ngushëllim e shpresë për ata është ndihma konkrete që mund t’u ofrohet familjeve të tyre në këtë varfëri ekstreme dhe jo tallja e menefregizmi kryeministror, sado i rafinuar të jetë ai.

Përballja me të vërtetën, me realitetin duket se e tremb Ramën, ai krijon një realitet trillues dhe kërkon me imponim që gjithkush ta besojë atë, fenomen ky që ndodh vetëm në regjimet totalitare dhe jo në një shtet demokratik. Fjalimet e tij politike të stërgjatura, nuk kanë gjë tjetër veçse tone imponuese, batuta ironizuese kundrejt më të pambrojturve, fajësime kundrejt forcave të tjera politike, e së fundmi një agresivitet kundrejt elektoratit të 25 qershorit. Rama kërkon një mandat, por nga mënyra se si ai shprehet duket se kërkon një mandat të parë dhe jo një tjetër katër vjeçar të dytë. Fjalimet e tij para elektoratit nuk kanë asnjë lidhje me programin e 2013 me të cilin Rama fitoi, duke premtuar shëndetësi falas, pasi çdo njeri që ka provuar gjatë këtyre katër viteve të shkelë njëherë në spital e ka kuptuar që ishte një nga gënjeshtrat më të pastra të këtij programi me të cilin mashtroi qytetarët.

Sot Rama tund pishtarin për disa reforma siç i quan ai, ndaj le të ndalemi tek njëra prej tyre ajo e arsimit. Mjafton të pyesësh një mësues që ka provuar portalin “Mësues për Shqipërinë”, me shpresën se do mund të zinte një vend pune në arsimin shqiptar, por që shpejt ka dëgjuar e kuptuar se listat e punësimit si mësues vijnë të gatshme prej partisë dhe nuk ka rëndësi nëse je i pari apo i fundit i renditur sipas pikëzimit në këtë portal. Mjafton të pyesësh një student që u orvat gjithë vjeshtën për t’u regjistruar në një nga degët në universitete dhe ajo sipas “shorteut të telebingos” që hodhi Lindita Nikolla. Mjafton të pyesësh një prind që derisa i pajisi fëmijët me tekste iu desh një muaj, e kështu me radhë ti kupton që reforma ka qënë një dështim, por Rama këtë gjë nuk ka se si ta dijë pasi e parë nga lart, me syrin e një piktori realiteti i tij është kaq perfekt. Programi i 2013 i partisë socialiste sot nuk vihet në qëndër të fjalimeve të Ramës sepse ai e di që asgjë prej tyre nuk është arritur, e qeverisja e tij nuk ka sjellë gjë tjetër veçse ka thelluar varfërinë dhe ka thyer çdo shpresë të shqiptarëve për të jetuar në këtë vend.

Ai shkon në çdo cep të Shqipërisë me parrullat e tij se vetëm partia socialiste mund të bëjë shtet, sikur shqiptarët të kenë qënë në gjumë këto katër vite dhe mos të kenë parë lulëzimin e kanabisit në çdo skaj të Shqipërisë si asnjëherë më parë. Ndoshta syri i piktorit nuk e sheh me aq negativitet këtë fakt, mbase për të mund të ketë qënë diçka pozitive, pasi Shqipëria u gjelbërua si asnjëherë më parë!

* Autorja është pedagoge në Universitetin e Tiranës

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s