Tragjedia e Gërdecit ngjarje terroriste. Dalin detajet mjekoligjore, ja si u shmang sulmi ndaj anijes me armatime në Durrës.

Por rasti më i rëndë, me dyshime të mëdha për një akt terrorist, për të dëmtuar imazhin dhe besueshmërinë e vendit tonë për t’u anëtarësuar në NATO, ngjarje kjo që është shoqëruar me një debat të fuqishëm politik dhe mediatik, që prej shumë vitesh, padyshim është shpërthimi më datën 15.03.2008, rreth orës 12.05, në fshatin Gërdec (bashkia Vorë), në një fabrikë që shërbente për çmontimin e municioneve luftarake. Nga ky shpërthim i fuqishëm, që krijoi një krater gjigant shumë të thellë, i ngjashëm me atë një bombe atomike në miniaturë, humbën jetën 26 persona, u plagosën rëndë 11 të tjerë, 31 të tjerë me plagosje të lehta dhe 260 të tjerë – dëmtime më të lehta si dhe lëndime të shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë; u dëmtuan 5413 banesa dhe objekte private dhe 32 biznese private.

Nga hetimet e kryera, si shkak i tij ka mundësi të kenë qenë shkëndijat e krijuara gjatë saldimit brenda ambientit të çmontimit të një karroce metalike të dëmtuar që shërbente për transportin e barutit që i kanë dhënë flakë grumbullit me barut dhe shpërthimit në tre kohë.

Trupat e 19 viktimave të para (ndërsa 7 viktima të tjera vdiqën më vonë në spitale) u ekzaminuan menjëherë në morgun e IML Tiranë, ku u konstatua se dëmtimet e tyre ishin shkaktuar kryesisht me mekanizmin e shpërthimit dhe djegies së drejtpërdrejtë nga ky shpërthim, të shoqëruara këto me copëtim dhe karbonizim të disa prej viktimave të kësaj ngjarjeje.

Nga këto viktima, 12 rezultuan të seksit mashkull dhe 7 të seksit femër.

Për 10 kufoma me dëmtime më të pakta, identifikimi u krye me lehtësi, kryesisht nëpërmjet njohjes nga të afërmit e tyre. Ndërsa për 4 viktima, identifikimi i tyre u arrit duke përdorur metodat e antropologjisë dhe odontologjisë mjekoligjore. Më në fund, për 5 viktimat e fundit të vdekura menjëherë pas kësaj ngjarjeje, të karbonizuara plotësisht dhe të ndara secila në disa pjesë, u përdor me sukses metoda gjenetike krahasuese e ADN-së.
Dyshimet që kjo tragjedi e rëndë në vendin tonë të ketë qenë një akt terrorist janë shumë të mëdha. Në radhë të parë, fuqia shumë e madhe e këtij shpërthimi me viktima të shumta dhe shkatërrime të panumërta, e bëjnë atë të ngjashëm me aktet e rënda terroriste që ndodhin sot në vende të tjera të botës.

Nga ana tjetër, vetë prokuroria që ka hetuar këtë ngjarje nuk e ka përcaktuar me saktësi shkencore shkakun e shpërthimit. Sipas saj, eksplozioni mund të ketë ndodhur për shkak të shkëndijave të saldimit të karrocës së dëmtuar, por sipas ekspertëve të kësaj ngjarjeje kjo është vetëm një dyshim, duke lënë kështu të hapur mundësinë e një shkaku tjetër të paparashikuar, pra lihet i nënkuptuar që ky shpërthim mund të ketë qenë kriminal.

Përveç kësaj, në hetimin e kësaj çështjeje janë paraqitur edhe disa informacione të tjera që i shtojnë këto dyshime: sasia tepër e madhe e barutit që mbahej në fabrikë, një sasi e afërt kjo me gjysmën e asaj të përdorur për bombën atomike të Hiroshimës, pra me shkelje flagrante të sigurimit teknik; pushimi i drekës ditën e ngjarjes ishte bërë një orë përpara në krahasim me ditët e tjera; fabrika ndodhej pranë një vendi të banuar dhe jo në një zonë periferike etj.

Por këto dyshime bëhen edhe më të mëdha prej disa të dhënave që kanë dalë në atë kohë nga specialistë të sigurisë kombëtare, sipas të cilave në atë periudhë po përgatitej një sulm terrorist në vendin tonë, epiqendra e të cilit ishte porti i Durrësit. Ky sulm do të realizohej nëpërmjet shpërthimit të një anieje në këtë port që shërbente për transportimin e barutit dhe municioneve që demontoheshin në fabrikën e Gërdecit. Anija e sinjalizuar për rrezikun e sulmit ndaj saj, e ngarkuar pjesërisht me materialet luftarake të Gërdecit, u largua menjëherë nga porti, duke u vendosur jashtë tij në një distancë sigurie. Kjo ngjarje ka ndodhur më datat 7 – 10 Mars 2008, d.m.th. disa ditë para tragjedisë së Gërdecit. Gjithashtu, në atë kohë ka pasur edhe disa sinjale që disa shërbime sekrete të vendeve të Lindjes mund të kryenin një akt terrorist me qëllim që të cënohej besueshmëria e vendit tonë për t’u pranuar si vend anëtar i NATO.

Të gjitha këto argumente e forcojnë dyshimin që ngjarja e rëndë e Gërdecit, e cila e dëmtoi me të vërtetë imazhin e vendit tonë, të ketë qenë një akt terrorist me qëllim për të cënuar besueshmërinë dhe penguar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Në vendin tonë, ky përdorim i tyre, ku përfshihen edhe aktet terroriste, është favorizuar nga hapja e depove ushtarake në vitin 1997, shpërbërja e ushtrisë ish-jugosllave, kalimi i rrugëve të trafikut të lëndëve apo pajisjeve eksplozive nëpër Ballkan.

Kështu në Shqipëri, në kohën e sotme janë zbuluar dhe dënuar disa grupe kriminale, të cilat merreshin me prodhimin apo trafikimin e pajisjeve eksplozive, si ngarkesa eksplozive të komanduara me anë të telefonave celularë, përdorimi i predhave reaktive (raketa) etj.

Në ngjarjet me shpërthime të karakterit terrorist me shumë viktima, ka rëndësi në fillim këqyrja e vendit të ngjarjes, nga e cila mund të përcaktohet nëse viktima ka qenë ose jo autori i krimit. P.sh. në literaturën mjekoligjore përshkruhet rasti i një shpërthimi të ndodhur në një automjet, ku shoferi e kishte pjesën e djathtë të trupit të shkatërruar plotësisht, ndërsa pasagjeri në sediljen e parë – kishte të destruktuar anën e majtë të trupit. Nga ky konstatim u mendua se bomba ishte vendosur midis tyre në sediljen e parë dhe se ata ishin duke e çuar atë në destinacionin e caktuar. Pra kjo e dhënë përforcoi dyshimin se të dy ata ishin terroristë dhe jo viktima të pafajshme, në automjetin e të cilëve ishte fshehur një bombë.

Përveç kësaj, në këqyrjen e vendit të ngjarjes së këtyre rasteve ka rëndësi të përcaktohet lloji i lëndës eksplozive të përdorur, ka qenë shpërthim kriminal apo aksidental, kush janë të dyshuarit për përgatitjen e kësaj lënde etj.

Në vendin tonë ka pasur edhe mjaft raste të terrorizmit individual, apo të organizuar me vendosje bombash në shtyllat e tensionit të lartë në rrethe të ndryshme të vendit, apo vrasje me anën e shpërthimeve të armëve plasëse në banesa dhe automjete etj.

Një rast tipik i shpërthimeve ka qenë ai i bombës në supermarketin VEFA në qendër të Tiranës, më 26 shkurt 1996, akt terrorist për kryerjen e të cilit janë akuzuar ish agjentë të shërbimeve sekrete komuniste shqiptare. Nga ky shpërthim u vranë katër persona dhe u plagosën 26 të tjerë. Shpërthimi ndodhi në orën 9.15, disa metra larg hyrjes në supermarket, disa minuta pas hapjes së tij. Në këtë rast u përdor një automjet brenda të cilit ishte vendosur lënda shpërthyese, i parkuar nga autorët e këtij akti terrorist ngjitur me murin e supermarketit. Lënda eksplozive e vendosur në automjet ishte në sasi të madhe pasi kishte si synim të dëmtonte objektin që ndodhej jashtë automjetit, siç ishte edhe supermarketi. Momenti i shpërthimit mund të ketë qenë i komanduar saktësisht, p.sh. me telefon celular, biper etj.), por mund të ketë qenë dhe i paracaktuar (koha e djegies së fitilit sipas gjatësisë, mekanizëm i djegies me orë).

Njëra prej viktimave, e seksit femër, me moshë 38 vjeçe, e punësuar si shitëse në supermarket, paraqitej në një gjendje krejtësisht të karbonizuar. Në vendin e ngjarjes, trupi i saj u gjet në një largësi rreth 15 metra nga muri që i korrespondonte vatrës së shpërthimit ku ishte mbështetur automjeti bombë, e mbuluar nga pjesët e rrëzuara të rafteve ku ishin ekspozuar mallrat, midis të cilave produkte kozmetike me lëndë detergjente.

Pra në këtë rast djegia deri në një karbonizim të thellë të trupit të saj, që përbën një prej dëmtimeve nga shpërthimet, ka qenë më shumë një djegie indirekte. Kjo, jo aq nga energjia termike që ka shoqëruar shpërthimin, sepse vatra e tij gjendej mjaft larg prej viktimës, sesa nga djegia e lëndëve detergjente të produkteve kozmetike prej shpërthimit, që ndodheshin në raftet që ishin rrëzuar dhe kishin qëndruar një farë kohe sipër viktimës.

Një rast tjetër i një krimi terrorist ka qenë ai i vrasjes të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, me anën e lëndës eksplozive të vendosur brenda automjetit, më datë 9.09.2011 rreth orës 9.30, në kohën që po udhëtonte në bulevardin e qytetit të Vlorës, për të vajtur në zyrën e tij në gjykatë. Lënda plasëse ishte vendosur brenda në makinë dhe momenti i shpërthimit duhet të ketë qenë i komanduar me telekomandë. Pas shpërthimit, automjeti mori zjarr dhe viktima që u nxor prej tij ende i gjallë, me dëmtime të rënda nga shpërthimi dhe djegia e automjetit ku kishte qëndruar një farë kohe pas shpërthimit, dha shpirt në spital. Automjeti që shpërtheu, ishte i tipit Benz, por mjaft i vjetër dhe i përkiste gruas së viktimës. Autorët e këtij krimi të rëndë terrorist, që nuk janë zbuluar ende, siç duket e kanë zgjedhur atë, sepse hapej më kollaj. Por më parë ata kanë dëmtuar gomat e makinës dhe pastaj kanë vendosur bombën brenda saj. Ky krim i rëndë terrorist kundër këtij gjyqtari është konsideruar si një atentat ndaj sistemit të drejtësisë, shtetit ligjor dhe demokracisë në vendin tonë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s