Rudina Hajdari: Babai im goditi murin diktatorial të komunizmit, unë dhe brezi im do të nxjerrim Shqipërinë nga tranzicioni.

Im atë pati guximin, karakterin dhe inteligjencën të ngrihet kundër diktaturës. Përplasjet e tij si luftëtar i lirisë, pluralizmit dhe demokracisë i dhanë atij një rol historik. Në qoftë se im atë goditi murin diktatorial të komunizmit dhe pati rolin e tij në ardhjen e lirisë, unë kam synimin dhe vizionin të kontribuoj në mbrojtjen dhe avancimin e mëtejshëm të këtyre të drejtave.

Image may contain: 1 person, smiling, sitting, table and indoor

Intervistë me zonjën Rudina Hajdari, e bija e heroit të Demokracisë Azem Hajdari, Kandidate për deputete e Partisë Demokratike në Tiranë dhënë Kryeredaktorit të Gazetës”Dielli” në SHBA, Dalip Greca…

Çfarë do t’i japë Kuvendit, Rudina Hajdari, e bija e themeluesit të PD-së, parlamentarit më aktiv, heroit të demokracisë, Azem Hajdari?

Është kjo një nga pyetjet që i drejtuam Rudina Hajdarit, kandidate për deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e 25 Qershorit. Përgjigja e saj është e sigurtë:”Do të luftojë fort duke nxjerrë në pah të gjithë cilësitë më të mira të babait, por në mënyrën time”.
Rudina synon që të jetë një politikane e ndershme dhe me këtë nënkupton besimin se: të gjithë jemi të lirë, lindim të barabartë dhe se të gjithë duhet të jemi në gjendje të përparojmë bazuar në aftësitë dhe pasionet tona, dhe se do të flasë hapur dhe do mbrojë të vërtetën, edhe nëse ajo bie ndesh me më të fuqishmit e shoqërisë. Moto e saj është: Interesat e Shqipërisë para çdo interesi tjetër!
Rudina i ka të gjitha kualifikimet për të qenë një përfaqësuese e denjë e qytetarëve shqiptarë në Parlament: Ka kryer studimet universitare Bachelor në Shkencat Politike në SHBA, ka vijuar studimet e nivelit Master Shkencor në Gjeopolitikë, Territor dhe Siguri në Londër për të përfunduar me studimet e nivelit Master Shkencor në Të Drejtat e Njeriut po në SHBA. Vec kësaj ajo ka trashëgiminë dhe vizionin për të ardhmen e Shqipërisë Evropiane. Le ta ndjekim intervistën:

Gazeta Dielli:-Si ndihet Rudina në garën elektorale si kandidate për deputete e PD-së?

-Rudina Hajdari:-
Ndjesia e parë nuk është thjesht kënaqësi personale. Ajo është përkatësia ime reale, realizimi i një rruge të gjatë, jo vetëm e imja, por i një rrugëtimi krenar pasi i përket forcës politike së cilës i përkas çdo orë e sekondë të jetës sime.
Nuk ka rëndësi fakti i renditjes time në listën e Tiranës dhe nuk e bën këtë betejë më të lehtë. Ajo që e bën garën e fortë, konkurrimin të vërtetë dhe real, ajo që i jep përmasën e natyrshme kësaj fushate, më të veçantës nga të gjitha të tjerat, është fakti i ndërthurjes së natyrshme të trashëgimisë, forcës, vërtetësisë së Partisë Demokratike dhe vizionit të së ardhmes, vizionit të Republikës së Re. Jam e sigurt që me vullnetin e duhur do hyjmë në një etapë të re për Shqipërinë që i ofron shqiptarëve një politikë frytdhënëse dhe një demokraci të drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirëse.

-Dielli:- A ishte një surprizë për ju përfshirja në listën e kryetarit të Partisë Demokratike,z. Lulzim Basha?

-Rudina Hajdari:-Personalisht, i jam mirënjohëse Kryetarit te Partisë Demokratike z. Lulzim Basha që vlerësoi prezencën time në ekipin e tij. Për mua është një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe të garojë si nën siglën e PD-së, të një partie që përfaqëson frymën e parë të demokracisë dhe vlerat euro-atlantike, si një prirje e natyrshme e shqiptarëve.

-Dielli:- Çfarë do t’i japë Kuvendit, Rudina, e bija e themeluesit të PD-së, parlamentarit më aktiv, heroit të demokracisë, Azem Hajdari?

-Rudina Hajdari:-Dua të nxjerr në pah të gjithë cilësitë më të mira të babait tim, por në mënyrën time. Këtu, më lejoni të veçoj disa. Dua të jem një politikane e ndershme dhe me këtë nënkuptoj besimin se të gjithë jemi të lirë, lindim të barabartë dhe se të gjithë duhet të jemi në gjendje të përparojmë bazuar në aftësitë dhe pasionet tona. Unë dua të flas hapur dhe do mbroj të vërtetën, edhe nëse kjo bien ndesh me më të fuqishmit në shoqëri. Gjithashtu, dua të vendos interesat e Shqipërisë para çdo interesi tjetër.

-Dielli:- Besoni që brezi juaj me të vërtetë do të integrojë Shqipërinë në BE, Çfarë nuk është arritur në këtë tranzicion të zgjatur?

-Rudina Hajdari:-Në këto 26 vite tranzicion Shqipëria ka pasur përparime të mëdha. Sot, Shqipëria ka një sistem politik të gjallë, është anëtare e NATO-s dhe është në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Shqiptarët udhëtojnë lirisht në Europë dhe kemi në krah aleatë të fortë perëndimorë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të Europës. Por s’duhet harruar që Shqipëria ka përjetuar një tirani komuniste të pashembullt në Europë dhe se tranzicioni është me i ndërlikuar sesa mund ta kemi perceptuar. Deri tani, ka qenë qeverisja e djathtë ajo që ka dhënë kontributin më të madh në plotësimin e kushteve të Bashkimit Europian, në kuadër të çeljes së negociatave të anëtarësimit. Kemi akoma shumë punë për të bërë përsa i përket zbatimit të ligjit të dekriminalizimit në Parlament dhe reformës në drejtësi, por jam e lumtur që këto hapa po ndërmerren në mënyrën e duhur, duke përfshirë kontributin e padiskutueshëm të Opozitës. Krizat politike dhe institucionet e dobëta e kanë lodhur procesin e anëtarësimit. Gjithsesi mendoj se përfshirja e të rinjve në politikë është një shenjë pozitive për sa i përket përfundimit të tranzicionit në vend dhe integrimit të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike.

Image may contain: 2 people, people on stage

-Dielli:- Sipas mendimit tuaj, duke qenë se keni jetuar për një kohë të gjatë në SHBA, çfarë duhet të bëhet ndryshe në Shqipëri?

-Rudina Hajdari:-Eksperienca ime në Amerikë ka qenë e vlefshme për të fituar një kulturë perëndimore, por kjo s’do të thotë që vendi im nuk ka qenë pjesë e kultivimit të karakterit tim. Mendoj se demokracia e drejtpërdrejtë është një nga gjërat që akoma i mungon Shqipërisë si dhe gjithëpërfshirja e te gjithë faktorëve shoqërorë në vendimmarrjet publike. Gjithashtu mendoj se sipërmarrja private duhet të operojë në mënyrë më të pavarur dhe bizneset duhet të jenë më pak të ndikuara nga rrethanat politike në vend.

-Dielli:- Ju keni përfunduar studimet universitare Bachelor në Shkencat Politike në SHBA. Më tej keni vijuar studimet e nivelit Master Shkencor në Gjeopolitikë, Territor dhe Siguri në Londër për të përfunduar me studimet e nivelit Master Shkencor në Të Drejtat e Njeriut po në SHBA? Si e shikoni politikën shqiptare, nga këndvështrimi juaj me këtë background të pasur arsimor?

-Rudina Hajdari:-Partneriteti strategjik i Shqipërisë me aleatët euroatlantikë, veçanërisht me SHBA-në, është shpresa dhe rruga e vetme e së ardhmes, e cila jo vetëm shëron çdo plagë të së shkuarës, por e bën të qartë dhe të vërtetë vizionin e saj për këtë ardhmëri. Shqipëria dhe faktori shqiptar në Ballkan, pavarësisht rrethanave, sfidave dhe përpjekjeve të të gjithë atyre që nuk e duan të ardhmen e këtij kombi, kanë një aleat të natyrshëm të ngulitur thellë në ndërgjegjen e këtij kombi, vokacionin perëndimor. Të gjitha përpjekjet e politikës shqiptare duhet të jenë në koherencë të plotë me këtë vokacion. Çdo lloj deviacioni është në dëm të kombit shqiptar dhe të ardhmes së tij.

-Dielli:- A mendoni se Shqipëria mund të dalë nga gjendja e rënduar e kultivimit, trafikut të drogës dhe korrupsionit të nivelit të lartë?

-Rudina Hajdari:-Absolutisht po. E gjithë përpjekja e Partisë Demokratike, jo vetëm në 90 ditët e çadrës, por dhe në më tej ka qenë ndërgjegjësimi i këtij fenomeni të shëmtuar dhe ndalimi sa më parë i trafikut të drogës dhe kultivimit të saj në vend. Lufta e të gjithë institucioneve shqiptare të papërfshira në këtë trafik, përpjekjet e mijëra punonjësve të Policisë, të paimplikuar, të njerëzve të ndershëm, të shërbimeve të inteligjencës, në bashkëpunim me aleatët perëndimorë, sigurisht, që e bëjnë të mundur.
Është e dhimbshme që ne, një shtet me bukuritë e mrekullitë e natyrës, vendi me moshën më të re në Europë, të etiketohemi si Kolombi e Europës dhe qindra mijëra të rinj të braktisin këtë vend për të kërkuar të ardhmen diku tjetër.

-Dielli:-A e shihni përfshirjen tuaj në politikë si vazhdim të punës së atit tuaj, ose më shumë se kaq?

-Rudina Hajdari:-Im atë pati guximin, karakterin dhe inteligjencën të ngrihet kundër diktaturës. Përplasjet e tij si luftëtar i lirisë, pluralizmit dhe demokracisë i dhanë atij një rol historik. Në qoftë se im atë goditi murin diktatorial të komunizmit dhe pati rolin e tij në ardhjen e lirisë, unë kam synimin dhe vizionin të kontribuoj në mbrojtjen dhe avancimin e mëtejshëm të këtyre të drejtave.

-Dielli:– Ndërkohë, ju jeni larguar nga SHBA! A mendoni se do të pendoheni për këtë vendim që keni marrë?

-Rudina Hajdari:-
S’do pendohem kurrë për këtë vendim që kam marrë. Amerika është aty dhe nuk pret për mua, kurse Shqipëria është vendi im dhe pret të rinj e të reja që gjallërojnë jetën politike, ekonomike dhe kulturore me ide inovative, bazuar në eksperiencën më të mirë Perëndimore. Për mua, largimi nga Shqipëria krahasohet me atë ndjesinë kur nëna të jep lirinë të ikësh në momentin që ti kërkon pak pavarësi, për t’u kthyer sërish tek ajo në momentin që ka nevojë për ty, për mbrojtjen tënde.

-Dielli:-Çfarë mesazhi do t’u jepnit mijëra të rinjve shqiptarë që janë arsimuar në SHBA apo Europë?

-Rudina Hajdari:-
Demokracitë e zhvilluara nuk janë të përsosura. Fakti që Shqipëria është akoma duke ndryshuar, u ofron më shumë hapësirë të gjithëve për t’u bërë pjesë e këtij ndryshimi. Besoj se kjo do të ishte më e çmuar se sa një gjurmë e vogël në një vend të zhvilluar. Këtu të rinjtë dhe të rejat kanë mundësinë të japin kontributin e tyre dhe të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e Shqipërisë. Ne nuk duhet të shohim Shqipërinë si inferiore ndaj shteteve që janë më të zhvilluara, sepse kemi shumë arsye për t’u krenuar me vendin tonë. Sa më shpejt të rinjtë të na bashkohen aq më shpejt do t’i arrijmë objektivat për një Shqipëri me një demokraci dhe ekonomi të zhvilluar, sikurse e meriton vendi ynë i mrekullueshëm.
-Dielli:-Rudina, faleminderit për Intervistën dhe urime në zgjedhje!
Rudina: Faleminderit Diellit!

Image may contain: 3 people, people smiling, people standing and outdoorImage may contain: 2 people, people smilingImage may contain: 9 people, people sitting and people standing

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s