2 korrik 1990, 27 vjet nga hapja e ambasadave, aty ku nisi fund i regjimit komunist.

2 korrik 1990, 27 vjet nga hapja e ambasadave, aty ku nisi fund i regjimit komunist

Sot është 2 korriku, data që na kujton një nga ngjarjet më të mëdha politike dhe të bujshme në fundin e regjimit komunist, ngjarja që i dha grushtin e fortë diktaturës dhe që çoi me shpejtësi në fundin e saj. Regjimi komunist i Tiranës ishte një regjim i mbyllur, që nuk kishte lidhje me vende perëndimore, por kishte vetëm marrëdhënie formale me vendet komuniste europiane e disa vende të papërfillshme aziatike e afrikane. Edhe pse Shqipëria kishte marrëdhënie me 105 shtete të botës, pesha e Shqipërisë në botë ishte shumë e vogël dhe në shumë raste me nam të keq. Ky nam i keq i kushtohej formatit të regjimit dhe trajtimit kriminal që ai i bënte popullit të vet. Shqiptarët ishin jo pak, por një popull i rreckosur dhe i uritur. Ushqimet e racionuara me tallona, jetesa e keqe në fshat ku nuk njihej as buka e grurit, e kishin bërë shqiptarin të konkurronte për nivelin e jetesës me vende të dorës së tretë në Afrikë.  Ajo që ndodhi në 2 korrik 1990, kur shtetasit shqiptarë u dyndën në ambasadat e huaja kishte të bënte me kundërveprimin e njerëzve më të guximshëm që prisnin ndryshimin e madh.

Në Tiranë, në vitin 1990 ishin të vendosura vetëm 17 përfaqësi diplomatike, 4 përfaqësi tregtare, si dhe 5 rezidenca e 4 pallate banimi, por vetëm 3 prej tyre ishin ambasada perëndimore: RFGJ-ja, Italia, Franca, Greqia, Jugosllavia, Çekosllovakia, Rumania, Turqia, Polonia, RDGJ-ja, Hungaria, Bullgaria, Vietnami, Kuba, Kina, Koreja e Veriut, Algjeria, Ambasadori arab.

Pasi popullsia u dynd në ambasada të huaja dhe regjimi nuk mund ta përballonte fluksin, ato u lanë hapur për disa ditë.  Lëshimi i situatës ndodhi për pak ditë, aq sa mund të krijonte mbushjen e menjëhershme të hapësirave të ambasadave.   Pas dyndjes në ambasadat e huaja, në bisedim me të dërguarin e sekretarit të përgjithshëm të OKBsë, regjimi u detyrua të lejonte grupin e madh të personave të dilte jashtë shtetit me statusin e kërkuesit të strehimit politik.  Nëse zgjateshin ditët më shumë, të mund të kishim shpërthim epidemish, vdekje  të më të dobëtëve, vdekje fëmijësh, etj. Nëse këto do ndodhnin, regjimi nuk kishte ku ka çonte revoltën e pallogaritshme që mund të shpërthente. Për pasojë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nën direktivat e Ramiz Alisë, nxori dekretin përkatës që normonte rregullimin e kësaj gjendjeje. Në zemër të Tiranës ishin afërsisht 5 mijë persona që dashje pa dashje mund të bënin figurë publike qoftë edhe me largim pasiv. Po për të shmangur çdo problem, regjimi përgatiti largimin e tyre në orët e vona të natës. Dhjetëra autobusë me në krye e në fund makina të policisë, i ngjanin një kortezhi mortor. Askush nga ata që ishin brenda atyre autobusëve, në zymtësinë e asaj mbrëmje korriku, priste me ankth fundin e kësaj historie.

Qëndrimi në ambasada zgjati 11 ditë për ata që hynë në datën 2 korrik e diçka më pak për të tjerët që hynë ditët në vijim. Pas bisedimesh midis përfaqësuesve të regjimit dhe të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, u vendos largimi i tyre, i pjesës më antikomuniste të vendit, në shtetet perëndimore.

Grupi i parë u largua më 13 korrik 1990. Për këtë qëllim u ngrit një grup pune i kryesuar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi.

Gjithsej të larguar më 13  korrik 1990 janë 4.691 persona, të ndarë si më poshtë:

-550 vetë në ambasadën franceze. Drejtimi i largimit, Vorë – Shijak te Porti i Durrësit.

-3300 vetë në ambasadën gjermane. Drejtimi i largimit, rruga e Kavajës te Porti i Durrësit. Sipas informacionit këta janë larguar në anijet “Greccia”, “Appia”, “Chepallonian Sky”.

-812 vetë në ambasadën italiane Drejtimi i largimit, rruga e Kavajës, te Porti i Durrësit.

-29 vetë në ambasadën greke. Drejtimi i largimit, rruga e Kavajës, te Porti i Durrësit.

Regjistri i të ikurve të 2 korrikut përfshin gjithsej 4.764 persona. Por nga këto janë hequr 9 vetë (mundet të kenë dalë para ikjes) duke mbetur 4.755 vetë. Nga lista janë kthyer në Shqipëri 17 persona kryesisht nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Përveç persona në ambasadat kryesore, ia vlen të bëjmë të njohur edhe personat e futur në ambasadat e tjera.

Për të rregulluar paksa imazhin e prishur keqas nga ngjarjet e ambasadave, më 13 korrik 1990, regjimi organizoi një miting masiv, të cilin e zotëronte heshtja, e ku fjalën kryesore e mbajti Xhelil Gjoni, e pas tij përfaqësuesi i veteranëve, intelektualëve dhe përfaqësuesi i rinisë. Ruajtjes së regjimit, autoritetet komuniste, filluan t’i japin ngjyrime patriotike duke thënë se vetëm regjimi i tyre i kishte siguruar vendit lirinë e pavarësi.

2 korriku është datë symbol, sepse me këtë akt, shqiptarët i dhanë një goditje te rëndësishme politike regjimit ne fuqi, kur shqiptarët e nisën vetë përmbysjen e diktaturës komuniste.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s