PSE E VOTOJ LULZIM BASHËN ?

Bahri Haki HOXHA/

Askush nuk është në gjendje të m’i kthejnë të gjitha ato që më kanë munguar në ato vite të përndjekjes e persekutimit politik komunist, kur ma pushkatuan babain tim Haki Hoxha në shtator 1974, kur na internuan familjarisht mbi një dekadë nga Kukësi në Kepin e Rodonit e në Bishtin e Pallës në Durrës, etj., por në këta tre dhjetëvjeçarë demokraci kam fituar shumçka më kanë munguar në të drejtat e liritë politike, ekonomike, sociale, kulturore, etj. Ndaj, me ardhjen e demokracisë, më 25 dhjetor 1990 isha një ndër themeluesit e drejtuesit e seksionit të PD në Bisht-Pallë, i pari seksion i PD në Durrës, pasi një ditë më pas u themelua dega e PD në Durrës nga 11 nismëtarët e saj. Ndaj, më 5 janar 1991 organizuam një miting të PD në Katundin e Ri, i pari miting i PD në zonat rurale në Shqipëri. Ndër vite isha drejtues i Departamenit të Organizimit në PD e Durrësit. Jam e mbetem ndër organizatorët e bashkëveprimtarët e, gjithnjë, ndër më ballorët pjesmarrës – në gjithato mbledhje, mitingje, protesta e demonstrata si dhe në fushata elektorale të PD prej fillimeve të Lëvizjes së Dhjetorit ’90 e deri më sot tek Elektoriada e 25 Qershorit 2017. Prej një muaji kam ardhë nga Firence e Italisë (ku jetojmë familjarisht prej vitesh) e ndodhem përditë në Kamëz e Paskuqan, në këtë zonë që do të arrijnë fitoren më të madhe për PD në Qarkun e Tiranës e në të gjithë Shqipërinë. Në qytetin e ri të Kamzës kam zënë hotel, pasi dua të jem në 24 orë të ditës pjesë e Fushatës Elektorale në këtë zonë me 93 mijë votues. E kam ndjek Fushatën edhe në Qarkun e Tiranës, në atë të Kukësit dhe të Durrësit.
Gjithmonë mbetem një veprimtar e votues i pashmangshëm i Partisë Demokratike, por kësaj here, në këto zgjedhje parlamentare, dua të ndajë publikisht mendimin e vendimin tim: “Pse do të votoj për Lulzim Bashën për kryeministër i Shqipwrisë, për fitoren e madhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë”?

Së pari: Lulzim Basha e PD janë të vetmit që mund t’u besosh fatet e ardhmërinë e Shqipërisë së sotme, veçanërisht pas keq qeverisjes së keqe të PS me LSI, mos mbajtjes së premtimeve elektorale prej tyre, përkeqësimit të gjendjes ekonomike-financiare e psikologjike të popullit tone në qytete e fshatra të Shqipërisë. E deklaroi edhe presidenti i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul, në mesazhin e tij: “Partia Demokratike përfaqëson të vetmen alternativë që ofron zhvillim ekonomik, si edhe është e vetmja parti që ka një plan për të ringjallur ekonominë e vendit, të hapë vende pune dhe të investojë shumë në edukim dhe kërkime shkencore”. Kjo, si rrallë herë, u deklarua tre ditë para zgjedhjeve për mbështetje politike ndaj Lulzim Bashës e PD nga ky grupim politik ma i madhi në Bashkimin Europian, ku Shqipëria don e lufton të jetë vend anëtar i tij.

Së dyti: Programi politik e ekonomik i Lulzim Bashës e PD është konkret, i prekshëm, i ndjeshëm për të gjithë, i shkruar e miratuar në letër dhe i zbatueshëm në realitetin e vështirë shqiptar. Ka një asistencë ndërkombëtare në hartimin e miratimin e tij edhe nga ekspertë e këshilltarë të kancelares Angela Merkel e të partisë së saj CDU, të parties simotër të PD. Ky Program është shans për të gjithë shqiptarët e të gjitha moshave, profesioneve e besimeve politike në 61 bashkitë e sotme të Shqipërisë, ashtu sikurse e prek e ndjej në shpirtin e xhepin tim edhe unë, atje – në Itali. Premtohet e do të arrihet ulja e taksave: 15 % TVSH; 9 % Taksë e Sheshtë mbi të ardhurat mbi 32.000 lekë; 9 % Tatimi mbi fitimin e kompanive; dividenti 0. Pensioni minimal do të jetë 25.000 lekë në muaj për çdo pensionist brenda katër viteve dhe, të mos harrojmë: Shqipëria ka 500 mijë pensionistë. 10.000 stazhe pune me pagesë çdo vit për studentët shqiptarë të sapodiplomuar. 100 milionë Euro financime direkte për fermerët në bazë të prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Shkolla me drekë të paguar për çdo fëmijë shqiptar nga mosha 5 deri 18 vjeç dhe zgjatje të ditës shkollore deri në orën 16.00, dhe, prapë, të mos harrojmë se Shqipëria ka mbi 700 mijë nxënës në arsimin parashkollor e parauniversitar. Falja e kamatëvonesave të energjisë elektrike, etj. Anullimi i konçesioneve korruptive, etj.

Së treti: tek Lulzim Basha, tek lidershipi i tij, personalitete botërore e Komuniteti Ndërkombëtar shohin e vlerësojnë një partner të besueshëm, të aftë e të çmuar për të qeverisur si kryeministër i Shqipërisë, për të marrë përsipër e kryer angazhime ndërkombëtare në kuadrin e NATO-s, BE, BB, etj. dhe për marrëdhaniet dy e shumëpalëshe ndërmjet shteteve euro-atlantike, ballkanike e ndërplanetare. Lideri demokrat Lulzim Basha është ndër personalitetet politike shqiptare që ka më shumë njohje e lidhje ndërkombëtare në botën euro-atlantike e ndërplanetare. Ndaj ishte i pazakontë në diplomaci e politikë amerikane rasti vlerësues kur dhjetë ditë para Ditës së Zgjedhjeve e priti në Shtëpinë e Bardhë në Uashington D.C. presidenti i 45-t i SHBA, Donald Trump, presidenti i fuqisë të shumëfishtë e ma të madhe të botës, duke dhënë mesazhe e mbështetje të fuqishme për Shqipërinë. Njejtësisht, edhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e shtetit superfuqi europiane e kryesues i BE, i ka dhënë mbështjetje të veçantë politike, ka dërguar pranë PD këshilltarë e ekspertë të politikës e ekonomisë, etj. për Programin 4-vjeçar të PD dhe në Fushatën e Lulzim Bashës.

Së katërti: Lulzim Basha është sipërmarrës apo kontributor i shquar politik në Shqipëri e në Kosovë, i sprovuar e dëshmuar si lidership politik. Lulzim Basha kur ishte në Kosovë, kur punonte për Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi për Gjykatën e Hagës, e përgatiti akt-akuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit. Lulzim Basha kur ishte ministër i Transporteve të Shqipërisë ndërmori nisma e përballje politike për ndërtimin e suksesshëm të Udhës së Kombit drejt Kosovës, Tunelin e Krrabës për lidhjen rrugëshkurtë të Tiranës me Elbasanin, Jugun e Shqipërisë e Shkupin, si dhe tani premton ndërtimin e tunelit e Rrugës së Arbërit nga Tirana në Dibër në afat kohor brenda dy viteve. Lulzim Basha kur ishte ministër i Jashtëm kontribuoi në marrrjen e Ftesës të antarësimit të Shqipërisë në NATO, në Hapjen e Negociatave për Liberalizimin e Vizave, në përshpejtimin e objektivave për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat në BE, për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) e njohjet ndërkombëtare të saj, etj. Lulzim Basha kur ishte ministër i Brendshëm (2009-2011) i përmbushi të gjitha kushtet teknike për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian, etj.. Lulzim Basha në katër vite kryebashkiak i metropolit shqiptar (2011-’15) punoi me përkushtim, me projekte transformuese e realitete ndryshuese, për ta kthyer Tiranën në një qytet modern dhe europian. Lulzim Basha, në vitet e fundit, si kryetar i PD e i Opozitës Shqiptare tregoi se është një lider i formatit të madh duke u përballur për dekreminalizimin e Parlamentit e të administratës të PS e LSI në pushtet; për të mos lejuar Kanibizimin e Shqipërisë; ngriti, institucionalizoi e misionarizoi “Çadrën e Lirisë” për 90 ditë kohë duke faktorizuar PD e Opozitën, duke iu imponuar Qeverisë e Ndërkombëtarëve për Zgjedhje të Lira, etj.

Së pesti: Lista e Lulzim Bashës dhe e PD për në Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 është mjaft e besueshme e premtuese, e denjë dhe e aftë për ta çuar PD në fitore të thellë me mbi 70 deputetë, për të ndryshuar e zhvilluar Shqipërinë, për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian, etj. Lulzim Basha ndërmori një akt vendosmërie të vështirë e të mirë për heqjen e shumkujt nga Lista e deputetëve, po shumkush mendon e kritikon se Lulzim Basha duhej të hiqte prapë të tjerë, veçse unë po iu them se kësaj here ishte mjaftueshëm e më e munduara për tu krye, sepse edhe grykës së topit po ia fute të gjitha gjylet ai pëlcet, ai çahet keq. Kjo Lista e Lulzim Bashës më shtyn ta votoj atë jo vetëm nga përkatësia ime politike, por edhe me bindje të plotë si qytetar shqiptar, sepse mbi 20 % e saj janë nga shtresa e përvuajtur e të përndjekurëve dhe të persekutuarëve politikë në të gjithë Shqipërinë. Në këtë Listë hyjnë të gjitha moshat, nga lideri historik Sali Berisha deri tek vajza eHeroit të Demokracisë, Azem Hajdarit – tek Rudina Hajdari e shkolluar në Amerikë e punuar në administratën e Kongresit Amerikan, bile ka edhe ma të rinj, çka i sigurojnë Grupit Parlamentar të PD një moshë mesatare ma të re, një frymë e fytyrë politike të re, një ardhmëri tjetër më të mirë të PD e Shqipërisë.

Së gjashti: kam besim të lartë tek lidershipi i Lulzim Bashës si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë e kryetari i sotëm e i nesërm i PD. Sepse: i besoj besnikërisë e vendosmërisë së tij politike partiake: Lulzim Basha është rrit’ në PD dhe me PD, nga gjimnazist i Tiranës – pjesmarrës në mitingje e protesta në Lëvizjen e Dhjetorit ’90 e më ’91; nga vëzhgues i PD në Zgjedhjet Parlamentare më ’92; kordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP, 2005), zëdhënës i Fushatës Zgjedhore Parlamentare të PD më 2005; deputet i PD në Tiranë (2005-’09) e në Elbasan (2009-’11); kryetar i PD me “1 antar–1 votë” me mbi 80 përqind të votave të antarësisë së PD në të gjithë Shqipërinë (korrik 2013) dhe, sigurisht, i vlerësueshëm e i votueshëm për një mandat tjetër në korrik 2017. Ndërsa Edi Rama i PS dhe Ilir Meta i LSI kanë ndrruar një e ma shumë herë parti politike. Sepse: Lulzim Basha është i vetmi lider politik shqiptar i derisotëm që ka krye studimet e larta universitare plotore në Perëndim. Sepse: Lulzim Basha, si asnjë lider tjetër, ka një përvojë të gjatë ndërkombëtare e kombëtare në detyra të ndryshme, pasi ka punuar në institucione të OKB në Kosovë në kuadrin e UNMIK-ut (jurist në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi për Gjykatën e Hagës dhe Këshilltar ligjor i UNMIK-ut); si një ndër themeluesit e Ministrisë së re të Drejtësisë në Kosovë; si ministër i Transporteve, ministër i Jashtëm, ministër i Brendshëm në Shqipëri; si kryetar i më të madhes bashki në Shqipëri – të Bashkisë së Tiranës. Dhe tani, me votën e fitores së madhe të PD, edhe kryeministrër i Shqipërisë.
Këto janë gjashtë arsyet që më japin frymëzim e garanci për të votuar nr. 6 në fletën e votimit të 25 qershorit 2017, për të votuar për fitoren e madhe kombëtare të Partisë Demokratike të Shqipërisë, për të votuar për politikanin e ri properëndimor euro-atlantik, shqiptarin e përkushtuar për kombin e vet, juristin e njohur dhe ndërkombëtarisht, shtetarin e sprovuar e të besueshëm, Lulzim Bashën – kryeministër i ri i Shqipërisë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s