Dokumenti sekret i vitit ‘89: Kosovarët që kthejmë nga Shqipëria, i arreston UDB-ja.

Dokumenti sekret i vitit ‘89: Kosovarët që kthejmë nga Shqipëria, i arreston UDB-ja

Pamje nga gjyqi i zhvilluar në Prishtinë për protagonistët e protestave të vitit 1981
Reagimi i autoriteteve shqiptare ndaj emigrantëve shqiptarë të deportuar në rrethana të jashtëzakonshme, fund e krye ka qenë një sjellje e paprecedentë. Kosovarët e ndjekur nga organet represive të Beogradit, jo vetëm nuk gjetën mbështetje e siguri në shtetin amë, por prej aty u dorëzuan zyrtarisht te organet e policisë serbe. Mjaft syresh përfunduan në qelitë e errëta, duke provuar një gjenocid të pashembullt, falë kështu “bujarisë” së bashkëkombësve nga Shqipëria. Pavarësisht mënyrës misterioze si operonte Tirana londineze në atë periudhë, shumëkush në heshtje përqaste të vërtetën dhe shkaqet e dramës tronditëse, së paku deri në fundin e viteve ‘80. Ajo çfarë ndodhi me pjesën e emigrantëve kosovarë që kërkonin strehim në Shqipëri gjatë regjimit komunist, më në fund është zbardhur edhe me dokumente e dëshmi autentike. Në një nga raportet e fundit të nënshkruar nga Simon Stefani si ministër i Brendshëm në shkurt të vitit ‘89, pohohet zyrtarisht se sjellja ndaj tyre në një farë mënyre ka qenë prerje në besë.”Këta emigrantë pasi janë kthyer nga Shqipëria në Jugosllavi, shkruan kreu i Policisë Sekrete në raportin “top sekret” për shefin e tij Ramiz Alia, janë torturuar në mënyrë çnjerëzore, e më në fund janë dënuar deri në 18 vjet burgim.” Konstatimi i zbardhur për sekretarin e parë të KQ në kapërcyell të sistemit, mbështetet në dëshmitë e një grupi intelektualësh nga Tirana, që ka vizituar Kosovën në fillimin e vitit ‘89. Sipas informacioneve të tyre për eksponentët e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, Prishtina paraqiste një realitetet tjetër nga sa njihej në Shqipëri. Nisur nga opinionet e tyre dhe nga informacione të tjera të siguruara në rrugë operative, Ministria e Brendshme tërhiqte vëmendjen e lidershipit komunist për një vlerësim më realist të situatës në Kosovë, ndërkohë që e gjente të arsyeshme të bënte të ditur faktin se Tirana zyrtare kishte krijuar një përshtypje jo të mirë me dorëzimin e emigrantëve kosovarë, të cilët përfundonin në duart e UDB-së dhe forcave policore serbe. Po çfarë shkruhet konkretisht për këtë çështje në raportin e Simon Stefanit për Ramiz Alinë, në shkurt të vitit ‘89…

RAPORTI

Ministria e Punëve të Brendshme/ Drejtoria I/ Tiranë 28 shkurt 1989.
Lënda: Për disa probleme mbi gjendjen në Kosovë.
Sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, shokut Ramiz Alia

Kohët e fundit, qytetarët tanë që kanë qenë vizitorë në Kosovë, nëpërmjet lidhjeve të tyre, kanë mësuar për mjaft probleme të gjendjes aktuale, etj. Myslim Qosja, pedagog në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës; Ali Qosja, ish-avokat ne gjykatën e këtij qyteti dhe Isa Qosja, regjisor në “Kosova-Film”, janë shprehur: “Gjendja ekonomike në Kosovë është mjaft e rëndë. Bujqësia është lënë krejtësisht pas dore. Fusha e Rrafshit të Dukagjinit është lënë djerrë, e pasistemuar dhe e pashfrytëzuar. Edhe ajo pak industri që është ngritur në Kosovë, është organizuar në atë mënyrë që të jetë e varur nga Serbia. Kështu për shembull, fabrika e akumulatorëve në qytetin e Mitrovicës prodhon vetëm për Bashkimin Sovjetik edhe kur ka ofertë nga Serbia. Aktualisht, 2000 punëtorë të kësaj fabrike rrezikohen të ngelen pa punë, pasi Serbia nuk ka plan prodhimi. Problem shqetësues në Kosovë është ai i emigrimit të kosovarëve në drejtim të SHBA dhe kjo për faktin, pasi shkojnë aty familjarisht dhe nuk kthehen më prej andej. Vetë serbët janë të interesuar dhe e nxisin një fenomen të tillë. Kështu, në Beograd është krijuar një zyrë që merret me emigrimin e shqiptarëve në drejtim të SHBA, me ndërmjetësimin e Meksikës. Kjo për faktin, se shteti amerikan nuk pranon emigrantë shqiptarë direkt nga Kosova, por nëpërmjet Meksikës. Në Meksikë emigrantët shqiptarë i presin njerëz të ngarkuar me këtë punë. Kështu, vetëm gjatë vitit 1988 në SHBA kanë emigruar rreth 20 mijë kosovarë. Po bëhen të gjitha përpjekjet për ta frenuar një fenomen të tillë. Në manifestimet e muajit nëntor, në përkrahje të kryesisë së Kosovës për të mos dhënë dorëheqjen, punëtorët e Trepçës dhe gjithë pjesëmarrësit ishin të vendosur që në rast se serbët do të ndërhynin kundër manifestuesve, siç bënë në Vojvodinë, në Beograd e Mal të Zi, t’ju kundërviheshin deri edhe në gjakderdhje, me armë, me luftë. Kosovarët janë të armatosur me armë, të cilat i kanë futur nëpërmjet emigracionit kosovar në vendet perëndimore. Kosova është e vendosur të mbrojë të drejtat e saj, të garantuara nga Kushtetuta e vitit 1974. Kushtetutën e të drejtat që ajo u ka garantuar Kosovës dhe kosovarëve, do të mbrohen deri me luftë. Në manifestimet e Prishtinës të nëntorit 1988, kryetari i Presidencës së Jugosl1avisë, Dizdareviç, thirri në Beograd Remzi Kolgecin dhe i kërkoi që të pranonte dhe të nënshkruante se “është dakord që ushtria jugosllave të hynte në Kosovë për të shpërndarë demonstruesit”, por Remzi Kolgeci nuk pranoi dhe tha, se një gjë e tillë do të shkaktonte gjakderdhje. Megjithatë, me qellim që në Kosovë të mos shkaktohej gjakderdhje, u mor vesh me manifestuesit që të shpërndahen. Me dorëheqjen e Remzi Kolgecit, me të cilën kosovarët nuk ishin dakord, në vend të tij u vendos Rahman Morina, që nuk gëzon simpatinë e popullit kosovar, pasi në manifestimet e nëntorit 1988 në Prishtinë foli keq për to, duke i quajtur ato, me të njëjtën gjuhë si vetë serbët, “demonstrata”. Mendimi i përgjithshëm është se Sllobodan Millosheviçi nuk do të mund të arrijë heqjen e të drejtave kushtetuese krahinës autonome të Kosovës, jo vetëm se nuk e miraton populli kosovar, por edhe për vetë qëndrimin pozitiv që ka Republika e Sllovenisë, ajo e Kroacisë dhe një pjesë e udhëheqjes së Bosnjë-Hercegovinës. Në përkrahje të Serbisë, tani për tani është vetëm Maqedonia dhe udhëheqja e re e Malit të Zi. Sllobodan Millosheviçi ka bërë për vetë rininë serbe e mbështetet tek ajo me parullën “Bashkim-Vëllazërim”, duke hedhur edhe parullën “Serbia është e madhe se është serbi edhe Mali i Zi”. Për këtë parullë, Vllado Strugar, akademist i Malit te Zi, ka dalë me propozimin që Mali i Zi të bashkohet në një republikë me Serbinë. Intelektualët kosovarë protestojnë me mënyrat e tyre, duke mos u pajtuar me gjendjen. Rexhep Qosja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës, është shprehur: “Më është bërë qejfi për faktin se Televizioni i Tiranës ka dhënë një emision për mua, por unë nuk i meritoj gjithë ato vlerësime që me bëhen nga Shqipëria, se pse në Shqipëri ka figura me të mëdha se unë si: Aleks Buda, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, etj.
Po kështu, në përgjithësi kosovarët nuk e kanë pritur mirë kthimin nga Shqipëria të disa emigranteve kosovarë, që u arratisën pas demonstratave të vitit 1981. Këta emigrantë, pasi janë kthyer nga Shqipëria në Jugosllavi, jugosllavët i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, e më në fund i kanë dënuar deri në 18 vjet burgim, gjë kjo që nuk duhet lejuar nga Shqipëria.

Ministri i Punëve të Brendshme
Simon Stefani
Ne, kosovarët që na terrorizoi policia sekrete e shtetit amë “Mënyrën si sillej policia sekrete me kosovarët, do ta ëndërronte edhe vetë UDB-ja. Ne vinim këtu si në strehën e nënës dhe përfundonim në ferrin e burgjeve të komunizmit, si agjentë të Serbisë”. Të vërtetën e këtyre pohimeve, Haxhi Baçinovski, kosovari që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në qelitë e Burrelit dhe Qafës së Barit, ka tentuar t’ua transmetojë edhe liderëve komunistë drejtpërdrejt nga qelitë. Në letrat e shumta adresuar funksionarëve të lartë të Tiranës, bie në sy angazhimi shpirtëror për të sjellë në vëmendjen e tyre krimet dhe gjenocidin e ushtruar jo vetëm mbi pjesën e të dënuarve nga Kosova, por mbi një popull të tërë. Në Arkivin e Shtetit ruhet ende letra e fundit që Baçinovksi i ka drejtuar Nexhmije Hoxhës, në cilësinë e kryetares së Frontit Demokratik. Po çfarë vë në dukje të kreut të regjimit kosovari i dënuar…
Quhem Haxhi Baçinovski – pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë, me armë në dorë. Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981, krimi agjitacion e propagandë. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazi e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit. (Imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitralozëve). Aktualisht, gjendem në burgun mesjetar të Burrelit; natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura. Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizue këtë realitet tragjik. Por desha t’ju pyes ju, çfarë i kam ba unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin. Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial nuk do të merrte mundimin me më pyet dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar. Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh, që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2… Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai ban burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq, as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj, nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nanat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim i tillë dhe kundër kujt, pa? Kundër njerëzve të pafajshëm. Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm. S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kuarajo me më ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara, siç keni ba tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.
I dënuari politik, Haxhi Baçinovski
18 shkurt 1990
“Për një “E-HO” në Prishtinë zinim burgun. “E-HO” i Tiranës na dorëzonte te UDB-ja” Labinot Geci është njëri nga kosovarët e shumtë, që është dënuar në Shqipëri, me vite të gjata burgu. Fillimisht është kapur në zonën kufitare të Dibrës, e më pas është akuzuar si agjent i UDB-së. Vetëm pas viteve ‘90 është rikthyer në Prishtinë, në gjendje të mjerueshme. “Çudi e madhe ndodhi me ne kosovarët”, – shprehet ai, – teksa kujton metamorfozën e dramës së dikurshme. “Vinim në Shqipëri të shpëtonim kokën dhe përfundonim në qelitë e tmerrshme”. I dënuari i Spaçit shton se vetëm pas demonstratave të ‘81, me dhjetëra djem nga Kosova që kalonin kufirin për t’i shpëtuar represionit serb, binin në prangat e autoriteteve ose riktheheshin forcërisht në Jogosllavi. “E gjitha kjo me orientimin e Enverit, – kujton Geci, në një kohë që me brohoritjet ‘E-HO’ në Prishtinë zinim burgun si irredentistë”. Një fat të tillë, sipas tij, e kanë provuar edhe të ardhurit e periudhave më të hershme. “Padyshim, që nga të deportuarit ka pasur edhe misionarë të Beogradit, – thotë Geci, por pjesa më e madhe e kosovarëve që hynin në Shqipëri, ishte tjetër kategori, që kurrsesi nuk e meritonte këtë sjellje torturuese”.

AFRIM IMAJ

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s