HISTORI / Familja De Medici, “kumbarët” e Rilindjes.

Screen Shot 2015-07-28 at 10.30.17

Rrëfim i jashtëzakonshëm për një dinasti që ka një vend të padiskutueshëm në historinë e Europës. Bankierët që u pasuruan me bekimin dhe Vatikanit dhe e bënë Firencen një qytet me të pangjashëm në të gjithë kontinentin. Historia e një familjeje, e mbushur me suksese, por edhe me shumë komplote, vrasje (edhe brenda Katedraleve) dhe hakmarrje. Një familje që nxorri Papë, dhe që u bë mbrojtësja e artistëve dhe dijetarëve më të mëdhenj të Rilindjes, nga Mikelanxhelo tek Botiçeli, nga Leonardo Da Vinçi, tek Galileo Galilei, dhe që frymëzoi “Princin” e jashtëzakonshëm të Makiavelit

Evropë, viti 1400: Një kontinent i rrënuar prej luftës dhe murtajës, dominohet nga auoriteti i Kishës Katolike. Në qytete dhe qendra banimi, tregtarë e sipërmarrës ndiejnë se bota e tyre po ndryshon. Me rritjen e tregtisë dhe pasurisë, zhvillohet edhe një etje për më shumë dije. Duke mos qenë më të neglizhuar në hijet e Kishës, filozofia klasike, poezia, arti dhe skulptura nisin të arrijnë një audiencë të re. Kjo është veçanërisht e vërtetë në qytete kozmopolitanë si Firence, vendlindja e Kozimo de Medicit. Firence në 1400 është si asnjë qytet tjetër në Evropë. Një qendër e madhe tregtie në zemër të Toskanës, ajo është një republikë ku familje të fuqishme konkurojnë për kontrollin politik. Që nga një rrugë anësore në sheshin  kryesor, i ati i Kozimos, Xhovani de Medici menaxhon bankën de Medici. Në një lëvizje mendjemprehtë, Medicit, babë e bir “vënë bast” në zgjedhjet papnore dhe fitojnë. Shpërblimi për besnikërinë e trye është e gjithë llogaria bankare papnore. Duke u mbështetur në këtë kontratë, banka Medici zgjerohet në të gjithë Evropën, duke e ngjitur familjen në elitën e Firences.

KUBEJA
Familjet kryesore të Firences kanë si obsesion një dështim poshtërues. Për më shumë se një shekull, një katedrale shumë e madhe ka qëndruar mbi kryet e qytetit. Nuk ka çati apo kube dhe është krejt e hapur. Ata që e kishin planifikuar, ndërtuan një hapësirë qendrore shumë të madhe për t’u mbuluar. Kushdo që do t’i jepte qytetit kubenë e tij, do të fitonte famën e përjetshme. Një burrë besonte se dinte si ta ndërtonte atë kube. Filipo Bruneleski, arpunues dhe inxhinier kishte studiuar teknikat e ndërtimit si dhe materialet e Romës së lashtë, dhe ai besonte se ishte në gjendje të rishkruante rregullat e arkitekturës moderne. Tani, me ndihmën e një veze, ai bindi autoritetet e katedrales që ta lejonin të ofronte shfaqjen më gjigande në qytet.

Ndërkohë, teksa pasuria e Medicit rritej, e njëjta gjë ndodhte edhe me egërsinë e rivalëve. Sapo Xhovani vdes, familja Albizi nis një luftë kundër trashëgimtarëve të tij, de Medici. Firence nuk është e madhe sa duhet për të patur vend për të dy familjet, dhe në 7 shtator 1433, Kozimo de Medici arrestohet dhe akuzohet për tradhëti. Kozimo shfrytëzon pasurinë për të korruptuar dhe dalë pa lagur nga burgu, por Medicit shpallen të jashtëligjshëm dhe Albizit triumfojnë. Tashmë, asnjë mik i Kozimos nuk është i sigurtë. Edhe Bruneleskin e flakin në qeli, duke bërë kështu të ndalet puna për kubenë. Jeta pa Medicit nuk është e lehtë. Në Firence, biznesi shteron, dhe brenda një viti zemërimi drejtohet kundër familjes Albizi. Me ndërhyrjen e Papës, Kozimo siguron rikthimin në Firence, dhe rimerr pozicionin e tij si lider jozyrtar i qytetit. Hakmarrja është e ëmbël.

TRIUMF?
Me një shije për artin dhe plot talent, Kozimo autorizon tashmë zanatçinjtë më të mirë të epokës së tij. Që nga Donatelo e Lipi deri tek Mikelozo dhe Gozoli, vepra të mrekullueshme prodhohen në emër të Kumbarit. Deri në 1436, kubeja më në fund është përfunduar, dhe meritën e merr Kozimo. Ai fton mikun e tij, Papën, që të kryejë shenjtërimin. Në vitin 1439, Kozimo nuk lejon t’i shpëtojë rasti për të bashkuar kulturat e lindjes dhe perëndimit, në Këshillin e mrekullueshëm të Firences.

Eshtë kulmi i suksesit të tij, e megjithatë Kozimo ka frikë për të ardhmen e dinastisë së tij. Biri i tij i preferuar dhe nipi vdesin përpara tij. “E njoh humorin e qytetit tim, para se të kenë kaluar 50 vite do të na kenë përzënë, por ndërtesat e mia do të mbeten”. Me vdekjen e tij në 1464, Kozimo nderohet me titullin Pater Patriae – Baba i Atdheut – por, kush do të udhëheqë Medicit dhe Firencen? Kush do të zërë vendin e Kumbarit të Rilindjes?
Firence, gusht 1466: Lorenco de Medici, trashëgimtari 17-vjeçar i dinastisë, zbulon dhe pengon një komplot për vrasjen e të atit dhe shpëton familjen nga një coup d’etat. Medicit ende e dominojnë Firencen, por tani marrin masa mbrojtëse shtesë, duke përzgjedhur një nuse të dobishme për Lorencon. Klaris Orsini, një bijë baroni dhe mbesë kardinali sjell lidhje, klas, si dhe muskuj ushtarakë në dinastinë Medici. Në punishtet e Firences, biznesi nuk ka ecur kurrë më mirë. Nën patronazhin e Medicit, artistë si Sandro Boticeli punojnë dhe i japin në përcaktim të ri vetë Rilindjes. Për momentin, “Adhurimi i misterit” i Boticelit konfirmon pozicionin e tij në qendër të pushtetit të Medicit.
NJË LIDER I RI
Në moshën 20-vjeçare, Lorenco bëhet Kapo i familjes Medici. Kumbari i ri u hap dyert njerëzve të zakonshëm të Toskanës. Në këmbim të çfarëdolloj gjëje që ata mund të lejojnë vetes, Lorenco ofron ndihmë dhe mbrojtje. Ky rrjet favoresh të ndërsjellë quhet amici degli amici – “miqtë e miqve”.

Pritjet e rregullta brenda Pallatit Medici bëjnë bashkë më të diturit e Firences, ajkën e tyre. I frymëzuar, Boticeli krijon një zhanër krejt të ri të artit. Në një botë të dominuar nga Kisha, Lorenco injekton një frymë lirie laike, e megjithatë, njëkohësisht ai është duke bërë shumë armiq, dhe me shumë shpejtësi. Familja Paci janë xhelozë për pushtetin e jashtëzakonshëm të Lorencos. Me mbështetjen e Papës, ata komplotojnë për të vrarë Lorencon dhe vëllanë e tij.

VRASJE NË KATEDRALE
E dielë Pashkësh, 26 Prill 1478: Mijëra vetë ndodhen brenda katedrales së madhe të Firences. Mes tyre, Lorenco, i vëllai dhe familja Paci. Në kulmin e ceremonisë, vrasës të paguar hyjnë dhe u afrohen vëllezërve Medici. Xhuliano qëllohet 19 herë me thikë dhe vdes përpara familjes së tij të tmerruar. Lorenco zhduket. Qyteti zhytet në kaos. Fjala për vrasjen përhapet si erë, dhe familja Paci përpiqet të marrë kontrollin. Krejt papritur, në dritaret e pallatit të tij shfaqet Lorenco, i mbytur në gjak, por i gjallë. Qyteti kthehet kundër familjes Paci dhe hakmarrja është brutale.
Vrasja e Xhulianos trondit Italinë. Aleatë të familjes Paci dëshirojnë të përfundojnë punën që ata nisën, dhe i shpallin luftë Firences. Lorenco udhëton i vetëm, për të negociuar me kumbarët e jugut. “Ndoshta Zoti dëshiron që kjo luftë, e cila nisi me gjakun e tim vëllai dhe gjakun tim, të përfundojë me mjetet e mia”.

Ai rikthehet në Firence triumfues, pasi i ka ofruar rryshfet Mbretit të Napolit dhe sprapsur Papën. Pasi ka marrë nofkën Il Magnifico “I Mrekullueshmi” nga qyteti i tij mirënjohës, Lorenco eleminon gjithë kundërshtarët. Ai adopton djalin e jashtëligjshëm të vëllait të vdekur dhe vendos të gjithë qeverinë nën kontrollin e tij personal. Lorenco është tashmë një diktator. Rilindja vazhdon të lulëzojë. Boticeli autorizohet të pikturojë një dhuratë martese për kushëririn e Kumbarit, “Lindjen e Venusit”. Ndërkohë, zbulohet Leonardo Da Vinçi dhe ai futet në vathën e Medicit. Në shkollën e parë të artit në botë, Lorenco zbulon një gjeni, Mikelanxhelo Buonarotin dhe e adopton edhe atë në familjen e tij.

PROFETI I FATKEQËSISË
Etja e Lorencos për kulturë materiale dhe shija e tij për jetesë me standarte të lartë ofendon një murg të ri dhe shumë të zellshëm. Xhirolamo Savonarola beson se Lorenco po udhëheq Firencen në një shteg dekadent shkatërrimi. Ai nis të predikojë kundër Medicit, “Shkoni dhe i thoni Lorencos që të pendohet për mëkatet, sepse Zoti do të ndëshkojë atë dhe familjen e tij!”
Në vitin 1492, Lorenco sëmuret. Parashikimet e Savonarolës po realizohen, dhe mbështetja për të në Firence rritet. Pasuria e bankës Medici pëson rënie të menjëhershme dhe rrjeti i influencës së familjes nis të shpërbëhet. Lorenco vdes. Savonarola përhap llojin e tij të fondamentalizmit në të gjithë Firencen. Të gjithë gjurmët e ekstravagancës konsumohen në zjarrin e madh të kotësive. Prostitutat rrihen, homoseksualët digjen të gjallë. Medicit shpallen të jashtëligjshëm. Firence, në kërkim të shpëtimit, është shndërruar në një vizion të ferrit.

Firence, 1501: 26 vjeçari Mikelanxhelo realizon një kryevepër gjigande, e cila do të simbolizojë betejën e tij kundër një familjeje që dikur e adhuronte. I rritur në moshë të re pranë trashëgimtarëve Medici, ai pa se si ata u dëbuan dhe mbi kokën e tyre u vendos një shpërblim. Tani, janë vënë në kërkim të një rruge që do t’i kthejë në pushtet.

26 Janar, 1504: Mikelanxhelo zbulon Davidin përpara syve të të gjithë botës. Përshëndetet si një triumf i vrtetë. Mikelanxhelo ka krijuar simbolin më të fundit të rezistencës ndaj familjes së përmbysur Medici. Xhulio de Medici është paracaktuar prift dhe kryemurg. Kushëriri i tij, Xhovani është tashmë kardinal, por lidhjet e trye klerikale kanë shumë pak rëndësi, pa Firencen. Papa Julius II, edhe ai nga një familje e fuqishme, është në mbështetje të përpjekjeve të tyre. Me ndihmën e tij, kushërinjtë mbledhin një ushtri dhe nisen për Firence.
Ndërkohë, Firence pa Medicit është duke lulëzuar. Përkundër dëshirave të Kishës, Leonardo Da Vinçi hap trupat e kufomave për studime private anatomike. Me qytetin nën rrezikun e pushtimit, ai dhe Mikelanxhelo ftohen që të prodhojnë afreske të betejave të famshme fiorentinase. Eshtë një konkurencë intriguese. Në 1512, mijëra trupa janë duke marshuar drejt Toskanës. Firence i kërkon Nikolo Makiavelit, gjenisë politik, që të përgatisë mbrojtjen e saj. Ushtarët që ai stërvit janë shumë pak për ushtrinë e Medicit. Prato, një vend jashtë Firencës, shndërrohet në një kasaphanë gjigande. Xhovani shpall masakrën një veprim kundër atyre që do të përpiqen t’i rezistojnë. Ka të drejtë, liderët e Firences dorëzohen. Përmes dhunës dhe terrorit, Medicit rimarrin kontrollin e qytetit, por jo besnikërinë e popullit të Firences.

PAPA LEONI
Me vdekjen e Papa Juliusit, kardinalët mblidhen në Romë. Ata harxhojnë kaq shumë kohë për zgjedhjen e një Pape të ri, saqë vaktet e tyre reduktohen në një pjatë aspak ndjellëse. Xhovani de Medici shpallet fitues dhe nga ky moment, ai do të njihet si Papa Leoni X. Ndërkohë, Mikelanxhelo është trembur për të ardhmen e tij. A mundet që suksesi i tij i kohëve të fundit brenda Kapelës Sistinë ta shpëtojë nga zemërimi i Medicit? Kushërinjtë i bëjnë artistit një ofertë që ai nuk mund ta refuzojë, kur i kërkojnë të ndërtojë varret e baballarëve të tyre të vdekur, Lorenco i Mrekullueshmi dhe Xhuliano de Medici. Tani, edhe vetë Makiaveli është vënë në kërkim të një pune në regjimin e Leonit. Por plani i tij shkakton kundërplasje dhe, i shtrënguar në mërgim, ai harton një manifest për diktatorët e pamëshirshëm. Papa Leoni X ndërton një reputacion për bollëk dhe luks të tepruar, me dashurinë e tij për bankete me 65 pjata si dhe festa ekstravagante. Dëshpërimisht në kërkim të parave kesh, ai nis të përdorë mjetin më të fundit për të bërë para, shitjen e indulgjencave. Agjentë të Papës Leo X shesin indulgjenca papnore në të gjithë Evropën, duke shkaktuar në këtë mënyrë zemërimin e shumëkujt, përfshirë atë të një murgu gjerman. Në vitin 1517, Martin Luteri publikoi “95 tezat” duke i dhënë kështu shkëndijën një revolucioni fetar. Leoni përpiqet të heshtë heretikët, por zhytet në një ngricë dimërore. Kushëriri i tij, Xhulio kurorëzohet pas tij si Papa Klementi VII dhe atij i duhet të përmirësojë imazhin. Një detyrë e vështirë. Pasojat e reformimit të Luterit sjellin ushtri të xhindosura në dyert e Romës. Shumë prej tyre janë Luteranë dhe ata e urrejnë Papën. Në 7 maj 1527, ushtarë gjermanë dynden në Romë. Klementi i shpëton masakrës, por grabitja e Romës shndërrohet në momentin më të errët të Rilindjes.

Pas disa muajsh në rrethim, Klementi arrin që me anë të parave të blejë njerëz për ta ndihmuar të dalë nga Roma e rrënuar. Armiqtë e tij në Firence janë rebeluar, duke marë peng të vetmin trashëgimtar të ligjshëm të familjes Medici. Katerina de Medici është vetëm 11 vjeçare. Xhaxhai i saj, Klementi pranon që të hyjë paqësisht në Firence, në këmbim të sigurisë së saj. Pas katër vitesh, ai e marton atë me djalin e Mbretit të Francës, duke i garantuar edhe një herë famijes Medici një të ardhme të ndritur. Por ditët e vetë Klementit janë tashmë të numëruara.

GJYKIMI I FUNDIT
Klementi, në çastet e fundit të jetës thërret Mikelanxhelon që të përfundojë veprën e tij në Kapelën Sistinë. E jashtëzakonshmja “Gjykimi i Fundit” do të jetë edhe kthesa e fundit në marrëdhënien e Mikelanxhelos me Medicit. Por, Klementi nuk do të jetojë për ta parë të përfunduar. Në vitin 1534, i lodhur e dërrmuar tashmë nga trazirat e vetë mbretërimit të tij, ai vdes. Pushteti shkatërrimtar i Papëve Medici ka marë fund.
Firence, 1537: Alesandro de Medici, Duka i Firences prehet i vrarë në shtratin e tij. Kushërri i tij nxirret që nga hijet për të udhëhequr Firencen. Eshtë vetëm 17 vjeç. Rivalët e tij mendojnë se është jnë kukull, por pavarësisht moshës, Kozimo de Medici, duka i ri i Firences është shumë ambicioz.

NJË NJERI I RILINDUR
Kozimo bën një marrëveshje me Xhorxhio Vasarin, një artist i gjithanshëm që beson se Duka i ri ka potencial. Në moshë të re, Vasari kish qenë shpëtimtari i krahut të thyer të Davidit të Mikelanxhelos. Tani, me miratimin e Kozimos, ai është vënë të mbikëqyrë riparimin e tij.
Firence është një qytet i rrezikshëm, dhe e fundit gjë që Kozimo dëshiron është të përfundojë si kushëriri i tij. Kështu që, ai detyrohet të nisë një regjim shumë rigoroz stërvitjeje për t’u ruajtur nga atentatet. Martesa e tij e mençur me një princeshë spanjolle sjell një ushtri të tërë si prikë. Me të, ai nis të mendojë pushtimin e fqinjëve. Republika e Sienës bie, dhe shumë shpejt edhe pjesa tjetër e Toskanës kapitullon përballë Medicit.

Kozimo nuk vonon të publicizojë suksesin e tij. Nëpër muret e ndërtesës së vjetër të qeverisë, ai porosit realizimin e afreskëve monumentalë nga Vasari. Një ushtri punëtorësh mbush muret e pallatit mesjetar me legjenda kurajoje dhe arritjesh. Kozimo sigurohet që çdo brez i familjes së tij të ketë vendin e vet, duke e shndërruar qendrën e republikës së vjetër në një tempull të paturp për dinastinë Medici. Gjithësesi, as kjo nuk mjafton për të kënaqur Dukeshën e tij. E etur për madhështi, Eleonora paguan 9000 florina për Pallatin Pitti, një fortesë shumë e madhe në pjesën jugore të Arnosit. Siguria është e mirëpritur. Në Firence ende ziejnë komplotet për vrasje, dhe Kozimo nuk shkon askund pa thika poshtë pantallonave, si dhe parzmore nën veshje.

Por tashmë, i fiksuari pas kontrollit ka një tjetër problem. Ai është zot i një administrate komplekse, e menaxhuar nga zyra të panumërta të shpërndara në të gjithë qytetin. Vasarit i kërkohet të ofrojë ndërtesa për një administratë të centralizuar. Ndërtesat e tij ngrihen në të dy anët e një rruge me një korridor që lidh të dy krahët. Fushatës kulturore të Kozimos i vihet kapaku me një libër të shkruajtur nga Vasari, i cili i vë vulën reputacionit të Medicit një herë e përgjithmonë. “Jeta e artistëve” është e para vepër mbi historinë e artit.

TRIUMF
Kozimo është më në fund i sigurtë. “Jam një sundimtar që nuk pranon autoritetin e askujt, përveç Zotit”, thotë ai. As edhe dalja në skenë e inkuizicionit të tmerrshëm roman nuk mund të zbehë suksesin e tij. Ai organzon një ceremoni publike për djegie librash, për të kënaqur urdhërat e tyre të censurës. Në këmbim, ai kurorëzohet Kozimo I, Dukë i Madh i Toskanës nga vetë Papa. Me Kozimo I, de Medici kanë mbërritur tashmë në shkallët më të larta të mbretërive ndërkombëtare. Duken të pakundërshtueshëm.

Pas mbretërimit të Kozimos, shkenca nis të përplaset gjithnjë e më shumë me doktrinën katolike, një prces që shfaqet e mishërohet tek shkencëtari më i madh i kohës, Galileo Galilei. Për tre breza, Galilei u jep mësime Dukëve të Mëdhenj të Medicit, duke informuar njëkohësisht botën për astronominë, gravitetin, shpejtësinë, pluskimin dhe kohën. Por, në momentin që guxon të thotë se Toka rrotullohet përreth Diellit, tashmë Papës i ka ardhur në majë të hundës.

Galileo thërritet përpara Inkuizicionit në Romë dhe kërcënohet me torturë. Medicit tashmë detyrohen që të zgjedhin, mes besnikërisë së tyre ndaj Kishës dhe besnikërisë ndaj vlerave të Rilindjes. Ata zgjedhin rrugën që kërkon më pak rezistencë, duke tradhëtuar Galileon. Me sa duket, nuk kanë arritur të ruajnë tek vetja atë çfarë i ka bërë të dallohen nga rivalët për breza të tërë. Rilindja në Itali merr fund.

Ndonëse tashmë mbretërimi i Medicit ka marrë fund, lëvizja që ata kanë nisur afron më pranë iluminimin, Epokën e Arsyes dhe Botën Moderne. Shumë padronë do të përpqieshin të ecnin në gjurmët e tyre, por asnjëri nuk do të ishte në gjendje të ngrihej në nivelin e trashëgimisë së Medicit, Kumbarëve të Rilindjes. / Përgatiti: Bota.al

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: